Aktualitet

Gjykata Kushtetuese rrëzon Fredi Belerin: Arresti në burg i ligjshëm, nuk mund të betohet si kryebashkiak i Himarës!

Gjykata Kushtetuese rrëzoi të enjten kërkesën e Fredi Belerit për kryerjen e betimit si Kryetar i Bashkisë së Himarës, i dalë fitues nga zgjedhjet vendore të vitit 2023. Kushtetuesja vlerësoi se kërkuesi nuk legjitimohet.

Në lidhje me pretendimin për kufizimin e lirisë personale në cenim të parimit të proporcionalitetit, Gjykata vlerësoi, me shumicë votash, se kufizimi i lirisë personale është vendosur nga gjykatat e zakonshme për një qëllim të ligjshëm që është garantimi i mbarëvajtjes dhe integritetit të procesit penal në ngarkim të zotit Beleri. Gjykata vlerësoi, gjithashtu, se masa e sigurimit personal “Arresti në burg”, e vendosur nga gjykatat e zakonshme, nuk duket joproporcionale në kontekstin e rrethanave të çështjes.

Në lidhje me pretendimin për cenimin e së drejtës për t’u zgjedhur, Gjykata konstatoi se kjo e drejtë shtrihet jo vetëm mbi të drejtën për të kandiduar por edhe mbi të drejtën për të ushtruar funksionin publik të besuar nga zgjedhësit. Në këtë kontekst, Gjykata vlerësoi se vendosja e masës së sigurimit personal “Arresti në burg” në ngarkim të zotit Beleri pamundëson kryerjen e procedurës së betimit nga ana e tij si kryetar i zgjedhur i bashkisë së Himarës dhe, për pasojë, ajo (masa e arrestit) përbën një kufizim të së drejtës së tij për t’u zgjedhur.

Sidoqoftë, duke qënë se Gjykata arriti në përfundimin se kufizimi i lirisë personale të zotit Beleri është bërë për një qëllim të ligjshëm dhe se kufizimi është proporcional në raport me këtë qëllim, ajo (Gjykata), me shumicë votash, nuk gjeti cenim të së drejtës së kërkuesit për t’u zgjedhur.

Pretendimet e Belerit:

Beleri i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese më 28 shtator duke kërkuar shfuqizimin, si të papajtueshme me Kushtetutën, të vendimeve të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë e të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Në thelb, Beleri ka pretenduar se gjykatat kanë zhvilluar një proces të parregullt ligjor, me anë të të cilit i kanë cënuar të drejtën për t’u zgjedhur për shkak të kufizimit të lirisë personale, si pasojë e vendosjes së “Arrestit në burg”.

Më këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese Beleri i ka ezauruar të gjitha shkallët e gjyqësorit në Shqipëri ndërsa mbrojtja e tij ka paralajmëruar se do të ankohen deri në Gjykatën e Strasburgut. Më 5 mars Gjykata e Posaçme e dënoi me dy vite burg Belerin, ndërsa avokati i tij tha se “prokuroria nuk solli asnjë provë dhe ne provuam se aktet e tjera janë të falsifikuara. Ndërkohë, në deklaratën që bëri Beleri brenda në sallën e gjyqit qëllimi i procesit ndaj tij janë zgjedhjet e reja në Himarë.

Fredi Beleri u arrestua më 12 maj në lokalin e tij, në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023, teksa ofronte para për të vlerë 8 vota në shifrën e 40 mijë lekëve. Arrestimi erdhi pas denoncimit në prokurori nga bashkëpunëtori i drejtësisë i cili kishte treguar se i ishin ofruar para në këmbim të votave.