Aktualitet

Greva e doganierëve grekë, mbyllet edhe Kapshtica!

Pika doganore greke në Kapshticë nga data 2-4 prill do të jetë e mbyllur për shkak të protestës nga sindikatat greke.

Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin, dega Korçë njofton se “në vijim të informacionit të dhënë nga Policia e Shtetit, ditën e djeshme, ju informojmë se, Policia Greke ka njoftuar Stacionin e Policisë Kufitare Kapshticë, se nga data 02.04.2024, prej orës 05:30, deri më datë 04.04.2024, në orën 05:30, pika doganore greke në Kapshticë, do të jetë e mbyllur për shkak të protestës nga sindikatat greke.

Nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve, autobusëve dhe kamionëve.

Do të lejohen të qarkullojnë vetëm këmbësorët, pa bagazhe, dhe automjetet që do kenë emergjenca shëndetësore.

Policia e Shtetit informon se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet policore greke dhe do të ketë njoftime të tjera në kohën e duhur, për çdo ndryshim.

Dje u njoftua se greva e doganierëve grekë në datat 2 deri më 4 prill do të çojë në mbyllje të tre pikave të kalimit kufitar të Greqisë fqinje me vendin tonë. Eshtë fjala për ato në Kakavijë, Tre Urat/Përmet dhe Qafë Botë/Sarandë. Ndalohet qarkullimi i mjeteve si autovetura, autobusë e kamionë, por lejohen të lëvizin vetëm këmbësorët pa bagazhe, si dhe makinat që mund të kenë urgjenca shëndetësore.

Policia e Shtetit njofton se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet greke. Ndërkaq, për të mos krijuar konfuzion në Kakavijë, te Tre Urat e në Qafë Botë, në kushtet e grevës së palës greke më 2-4 prill, pala jonë kërkon mirëkuptimin e të interesuarve për të lëvizur në drejtim të shtetit grek. Ata duhet që të ndjekin udhëzimet e Policisë së Shtetit.

Njoftimi zyrtar i një dite më parë:

Qendra e Bashkëpunimit Policor në Greqi, ka njoftuar Policinë e Shtetit, se nga data 02.04.2024, prej orës 05:30, deri më datë 04.04.2024, në orën 05:30, pikat doganore greke në Kakavijë, Tre Urat, Përmet dhe Qafë Botë, Sarandë, do të jenë të mbyllura për shkak të protestës nga sindikatat greke.  Nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve, autobusëve dhe kamionëve.  Do të lejohen të qarkullojnë vetëm këmbësorët, pa bagazhe, dhe automjetet që do kenë emergjenca shëndetësore.

Në këtë kuadër, të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve që kanë planifikuar lëvizjen drejt shtetit grek, në këtë periudhë kohore, nëpërmjet pikave të kalimit kufitar Kakavijë, Tre Urat Përmet dhe Qafë Botë Sarandë, të përdorin pikat e tjera të kalimit për në shtetin grek.

Me qëllim moskrijimin e konfuzionit në këto pika kalimi, Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe të drejtuesve të automjeteve që janë të interesuar për të lëvizur në drejtim të Greqisë, që të ndjekin udhëzimet e Policisë.

Policia e Shtetit është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet policore greke dhe do të ketë njoftime të tjera për çdo ndryshim, si dhe në rast se do të ketë bllokim edhe në pikën e kalimit kufitar Kapshticë.

Për grevën, dje doli me njoftim zyrtar edhe Ambasada e Shqipërisë në Greqi:

Bazuar në njoftimin e përcjellë nga autoritetet e Republikës së Greqisë, bëhet me dije se, për shkak të grevës 48 orëshe të shërbimit doganor grek,:

Duke filluar nga ora 07.00 e datës 02.04.2024

Deri në orën 07.00 të datës 04.04.2014,

Shërbimi në pikat e kalimit të kufirit me Greqinë do të pezullohet.

Kalimi i kufirit do të lejohet vetëm për këmbësorët, pa bagazhe dhe personat me probleme serioze të shëndetit.

Sa më sipër, lutemi që shtetasit shqiptarë të marrin masa për udhëtimet e tyre të planifikuara.

Në rast ndryshimi të këtij vendimi, do ju informojmë me një njoftim të dytë.