Aktualitet

Hapet Rruga e Arbrit, Tiranë-Dibër vetëm në 1 orë e 20 minuta!

Nga sot, hapet për qarkullim Rruga e Arbrit, që shkurton ndjeshëm distancën Tiranë-Dibër, në 1 orë, nga 4 që ishte deri tani. Në ceremoninë ku morën pjesë kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, rruga u deklarua e kalueshme për qytetarët.

Kjo është një rrugë që zgjat 69 km deri në Maqellarë, por në kontratën e koncesionit janë 54 km, nga të cilat 38 km ne i dorëzojmë sot për përdorim. Pjesën në Qafën e Murrizit e kemi zgjidhur me një bypass 8.8 km. Eshtë një bypass provizor, sepse duhet të informojmë të gjithë drejtuesit e automjeteve që kantieri hapet, por në formë provizore, pasi do të vazhdojmë për një pjesë të punimeve që duhen përfunduar. Kontrata ka afat dorëzimi fundin e prillit 2022, por ne do të bëjmë të pamundur për të dorëzuar gjithçka në kohën e duhur.

Në Tunelin e Murrizit, për shkak të formacioneve gjeologjike komplekse, puna ka ecur më ngadalë e përfundon në pranverë, kur rruga të përshkohet për vetëm 47 minuta, nga 1 orë e 20 minuta që bëhet sot.

Një tunel ku kemi hasur në shtresa argjilore dhe shtresa ujore. Megjithatë, aty punohet në mënyrë të vazhdueshme dhe problematika do të zgjidhet, por sigurisht nuk ka atë ecuri që ne kemi pasur në 5 tunelet e tjera. Kjo është një ditë e shënuar sot, sepse rruga shkurton distancat, nga 4 orë dhe në Dibër shkohet vetëm për një orë, duke pasur parasysh segmentet e tjera, të cilat do t’i bashkohen në muajt në vazhdim të gjithë veprës.

Për Opozitën, hapja e Rrugës së Arbrit, “bëhet për propagandë”. Deputetja e PD-së në Qarkun Dibër, Dhurata Çupi:

Nxitimi për të shpallur, në ditën e ndarjes së shqiptarëve, hapjen e Rrugës së Arbrit, kur rruga akoma nuk ka mbaruar sipas kontratës, është, më e pakta, tallje me dibranët. Dështimi i qeverisë për të mbajtur premtimin e përfundimit të rrugës në prill dhe dështimi i premtimit për ta përfunduar rrugën në fund të këtij viti nuk mund të mbulohet nga propaganda e qeverisë. E vërteta është se rruga që na ka kushtuar 400 miliard lekë është e papërfunduar dhe hapja e sotme është propagandistike. Në vend të mashtrimeve, qeveria duhet t’u thotë dibranëve dhe shqiptarëve a do të paguajnë ata deri në 8 euro për një udhëtim vajtje-ardhje në Rrugën e Arbrit, kur rruga të përfundojë sipas kontratës?