Aktualitet

Harta e re gjyqësore/78 gjyqtarë do të ketë Apeli i Tiranës!

Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ sot miratoi vendimin që Gjykata e Apelit në Tiranë të ketë 78 gjyqtarë në strukturën e saj. Apeli parashikohet ta nisë punën në shkurt të vitit 2023. Dosjet që janë nën gjykim në Apelet që do të shkrihen më 31 janar, pra në fund të muajit të ardhshëm, nuk do të hidhen në short, por do të vazhdojnë me të njëjtët gjyqtarë që i kanë nën gjykim. Në projekt-vendimin e siguruar nga gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, thuhet:

Analiza e të dhënave statistikore është bërë hollësisht në Raportin e Vlerësimit mbi Hartën e Re Gjyqësore, ku është konkluduar se Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm do të ketë nevojë për 78 gjyqtarë për të ruajtur mesataren kombëtare të ngarkesës me çështje. Ky numër është i barabartë me numrin e pozicioneve të gjyqtarëve të Apelit të alokuar aktualisht në sistemin gjyqësor. Numri i gjyqtarëve sipas dekretit është: në Durrës 13, në Gjirokastër e Korçë nga 6, në Shkodër 10, Tiranë 31, në Vlorë 12.

Në Raportin vlerësues të Hartës së Re Gjyqësore është konkluduar pas një analize të kombinuar të të gjithë indikatorëve, faktorëve dhe objektivave të parashikuar nga neni 14 i Ligjit Nr. 98/2016 i ndryshuar, se përcaktimi i numrit 78 gjyqtarë, është aktualisht mekanizmi kryesor i ekuilibrimit të ngarkesës së gjykatës dhe vetë gjyqtarëve, duke siguruar një rishpërndarje të drejtë të ngarkesës së gjyqtarëve në juridiksion apeli.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ shkriu 18 gjykata duke reduktuar gjykatat e Apelit në një të vetme në Tiranë, duke hequr pesë gjykatat administrative që do jenë në vetëm dy: një në kryeqytet dhe një në qytetin e Lushnjës e duke lënë vetëm 13 gjykata të Shkallës së Parë nga 22 që kanë qenë. Po ashtu, ky vendim u shoqërua me bojkotin e proceseve gjyqësore në themel të rreth dy mijë avokatëve në të gjithë vendin e që e kundërshtojnë vendimin.