Bota

“Humbja e një syri më shqetëson çdo ditë”…/Flet dy vite pas sulmit me thikë shkrimtari Salman Rushdie!

Shkrimtari britaniko-amerikan me origjinë indiane, sër Salman Rushdie ka folur me detaje rrëqethëse për BBC për atë që kujton nga sulmi i dy viteve më parë, në të cilin u godit me thikë. Autori fitues i çmimit Booker tha se syri i tij mbeti i varur poshtë fytyrës “si një vezë e zier butë” dhe se humbja e syrit e mërzit atë çdo ditë.

“Më kujtohet se mendoja se po vdisja. Për fat të mirë, gabova”-thotë ai. Salman tha se ai po përdor librin e tij të ri, ”Knife”, si një mënyrë për të luftuar kundër asaj që ndodhi. Sulmi ndodhi në një institut arsimor në shtetin e Nju Jorkut në gusht 2022, teksa ai po përgatitej të jepte një leksion.

Ai kujtoi sesi sulmuesi erdhi duke ngjitur shkallët dhe e goditi me thikë 12 herë, duke përfshirë në qafë dhe në bark, në një sulm që zgjati 27 sekonda. Salman tha se ai ra në dysheme, u dërgua në një spital me helikopter dhe kaloi gjashtë javë duke u rikuperuar atje.

76 vjeçari është një nga shkrimtarët më me ndikim të kohëve moderne. Sulmi dominoi titujt e lajmeve në mbarë botën. Salman më parë kaloi disa vite të fshehur pasi botimi i vitit 1988 i ”Vargjeve satanike” shkaktoi kërcënime kundër jetës së tij. Sulmi dëmtoi mëlçinë dhe duart e Salmanit dhe i preu nervat në syrin e djathtë.

Ai zbulon se duhet të tregojë më shumë kujdes kur ecën poshtë shkallëve ose kalon një rrugë apo edhe kur hedh ujë në një gotë. Për herë të parë, Salman ka zbuluar se çfarë do të dëshironte t’i thoshte sulmuesit të tij të dyshuar. Hadi Matar, një 26-vjeçar, banor i Nju Xhersit, është akuzuar për goditjen me thikë. Matar ka kërkuar pafajësinë dhe po mbahet pa lirim me kusht.