Bota

Humbjet ruse në Ukrainë, të ngjashme me të sovjetikëve në Afganistan!

Rusia intensifikon sulmet në rajonin lindor Lugansk të Ukrainës, ndërsa forcat ruse po tentojnë të rrethojnë qytetin Severodonjeck. Luftimet e ashpra në lindje kanë rezultuar me vdekje të shumta të ushtarëve rusë, referuar burimeve të Inteligjencës britanike, në një vlerësim për tre muajt e parë të konfliktit. Moska po përballet me një shifër viktimash, të ngjashme me atë që përjetoi Bashkimi Sovjetik gjatë luftës 9-vjeçare në Afganistan, në vitet ‘80.

Ushtarët ukrainas u kanë rezistuar 11 sulmeve armike në 24 orët e fundit, ndërsa vazhdimisht, forcat e Moskës po tentojnë të përparojnë e janë duke përdorur pajisje ajrore, për të shkatërruar infrastrukturën. Në Mykolaiv, guvernatori i rajonit, Serhiy Hayday, deklaroi se “forcat ruse po tentojnë të rrethojnë qytetin me taktika shkatërruese”.

Rusia po përqendron atje, trupat që fillimisht kishte në rajonin e Kharkivit, disa nga Mariupoli, si dhe ushtarë të mobilizuar nga Siberia, për të shtuar sulmet në Donjeck e Lugansk.

Një ditë më parë, të paktën shtatë civilë u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën rreth rajonit Donjeck. Bombardime ruse e sulme me raketa u dëgjuan edhe në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, si dhe në qytetet Mykolaiv e Zaporizhja në jug.

Sipas ushtrisë britanike, “shkalla e lartë e fataliteteve mes forcave ruse, vazhdon të rritet përgjatë ofensivës në Donbas, si pasojë e disa faktorëve, përfshirë taktikat e dobëta, mbrojtje të pamjaftueshme ajrore, fleksibilitet të ulët dhe komandë që përsërit gabimet”.

Rritja e vazhdueshme e numrit të viktimave mund të çojë në pakënaqësi në Rusi, pasi në të kaluarën, rusët janë treguar të ndjeshëm ndaj humbjeve të përjetuara gjatë luftërave.

Zyrtarët ukrainas nuk raportojnë shumë për humbjet e tyre, por sipas presidentit Volodymyr Zelensky, nga 50 deri në 100 ushtarë ukrainas po vriten çdo ditë, në lindje të vendit. Lufta e Rusisë në Ukrainë ka rritur edhe numrin e personave të zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Kombet e Bashkuara thanë se “për herë të parë, bota ka regjistruar mbi 100 milion njerëz të zhvendosur”.