Rajoni

Hungaria përgatitet të marrë presidencën e BE-së/Kryeministri Orban në Bosnjë!

Me zyrtarë të lartë të Bosnjë e Hercegovinës, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, bisedoi lidhur me bashkëpunimin dypalësh në një numër fushash. Kjo në kohën kur vendi i tij po përgatitet ta marrë presidencën e Bashkimit Europian më vonë këtë vit. Orban u takua me Borjana Kristos, presidenten e Këshillit të Ministrave të Bosnjës, si dhe me zyrtarët e Presidencës së Bosnjës gjatë vizitës së tij në kryeqytetin Sarajevë.

Pas takimit me Kristos, Këshilli i Ministrave tha se të dyja palët theksuan se nevojitet rritja e tregtisë mes dy vendeve. Presidenca njoftoi se Orbani dhe zyrtarët e vendit ballkanik biseduan për bashkëpunimin dypalësh në arsim, kulturë, bujqësi, energji, telekomunikacion e po ashtu në fusha të tjera. Në njoftimin zyrtar theksohet se vendimi i Bashkimit Europian për t’i hapur bisedimet me Bosnjën është nxitje për vendin që t’i vazhdojë reformat.

Liderët e Bashkimit Europian ranë dakord më 21 mars për t’i hapur bisedimet për anëtarësim me Bosnjën, por thanë se atë e pret “një punë e madhe” për t’u pranuar në bllok. Hungaria do ta marrë presidencën e BE-së, më 1 korrik.

Janë shprehur pritshmëri se do të ketë përparim në procesin e anëtarësimit të Bosnjë e Hercegovinës në BE gjatë kryesimit të bllokut nga Hungaria, në pjesën e dytë të vitit 2024 dhe se konferenca e parë ndërqeveritare do të mbahet sa më shpejt, bëri të ditur Presidenca boshnjake në një komunikatë.

Orbani shkoi dje vonë në Banja Lukë, ku u takua me Milorad Dodikun, presidentin prorus të Republikës Sërpska. Lideri populist hungarez është një prej aleatëve kryesorë të Dodikut dhe një prej politikanëve të paktë të NATO-s e BE-së që ka vullnet të takohet me të.

Dodik, i cili është nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, për shkak të përpjekjeve për të minuar Marrëveshjen e Dejtonit, pati thënë më herët se Orbani do të pranonte një nderim nga Republika Sërpska gjatë vizitës së tij. Hungaria i ka premtuar Republikës Sërpska 100 milion euro ndihmë.

Republika Sërpska gjithashtu mori hua 140 milion euro nga banka hungareze Export-Import në dy raste, për të mbuluar deficitin në buxhetin e entitetit dhe për t’i shlyer borxhet pjesërisht.