Aktualitet

IFC vlerësime Shqipërisë në shkurtimin e kohës së zhdoganimit!

Korporata Financiare Ndërkombëtare, IFC vlerëson vendin tonë për shkurtim të kohës së zhdoganimit dhe lehtësim të shërbimeve ndaj biznesit. IFC realizoi Studimin e Dytë për Matjen e Kohës së Zhdoganimit në Shqipëri, për rishikimin e procedurave të aplikuara, si dhe për matjen e kohës së nevojshme për ngarkesat tregtare. Kjo për t’iu nënshtruar procedurave të importit, eksportit dhe tranzitit në portin detar të Durrësit, Qafë-Thanë, Kapshticë e në tre terminalet kryesore doganore të brendshme Tiranë, Elbasan e Fier.

Përmirësimi i qëndrueshëm i shërbimeve ndaj biznesit identifikohet në raportin e IFC-së, si tregues i impaktit që modernizimi i Administratës Doganore Shqiptare ka pasur në procedurat doganore.

Konkretisht, krahasuar me vitin 2018, sa i përket importit në Portin e Durrësit, koha mesatare e çlirimit të mallrave është shkurtuar me 26% ndërsa në zyrat doganore kufitare, me 20%. Në zyrat e brendshme doganore, koha mesatare e çlirimit të mallrave u reduktua me 74%. Për eksportin, studimi vë në dukje se në “Portin e Durrësit, koha mesatare e çlirimit të mallrave është shkurtuar me 49%, ndërsa në zyrat doganore kufitare e ato të brendshme, me nga 4%.

Ndërkohë, për tranzitin në hyrje në Portin e Durrësit, koha mesatare e çlirimit të mallrave u shkurtua me 21%, në zyrat doganore kufitare, me 15%. Për tranzitin në dalje, në Portin e Durrësit, koha mesatare e çlirimit të mallrave u reduktua me 38% dhe në zyrat doganore kufitare, me 18%.

Koha mesatare e kryerjes së procedurave në zyrat doganore, nga autoritetet doganore u shkurtua me 21% në Portin e Durrësit; 64% në zyrat doganore kufitare;  58 në të brendshmet. Ndërkohë që nga agjentët doganorë koha mesatare është shkurtuar me 70% në Portin e Durrësit; 19% në zyrat doganore kufitare, si dhe  52% në zyrat doganore të brendshme.

Digjitalizimi i aplikimeve, përditësimet e vazhdueshme të sistemit elektronik, përmirësimi i përzgjedhjes me risk, bashkëveprimi ndërinstitucional e me biznesin, si dhe rritja e kapaciteteve dhe integritetit të burimeve njerëzore, janë vetëm nga disa nga faktorët që kanë çuar në këtë histori suksesi, në shkurtimin e kohës së zhdoganimit dhe lehtësimin e biznesit.