Aktualitet Sociale

Ikin të rinjtë, më shumë të moshuar/Vetëm Tiranës i shtohet popullsia, zyrtarisht me 925 mijë banorë!

Që nga viti 2001, popullsia e Shqipërisë vijon rënien. Përveç 2017-ës kur pati një shtesë modeste me 1 mijë banorë, në vitet e tjera, rënia ka vazhduar. Edhe vitin e kaluar vijoi trendi, me 31 mijë e 800 persona më pak në vendin tonë, ndërsa numri i emigrantëve ishte më i larti që nga 2014-ta.

Në një periudhë 5-vjeçare, shifrat tregojnë një realitet të hidhur, me të rinjtë që po largohen gjithnjë e më shumë nga vendi. Kështu, nga 2018-ta janë 137 mijë e 598 individë të grupmoshës deri në 29 vjeç të larguar nga Shqipëria. Pesë vitet e fundit, në piramidën e popullsisë u shtuan 68 mijë e 269 persona të grupmoshës 60-85 vjeç.

Edhe mosha e mesme e popullsisë, nga 30 në 59-vjeç është pakësuar, me 19 mijë e 358 individë, duke konfirmuar fenomenin e emigracionit familjar.  Dramën e emigrimit të rinjve e tregojnë dhe statistikat e arsimit, pasi në arsimin parauniversitar dhe universitet u regjistruan rreth 35 mijë e 200 nxënës e studentë më pak.

Sa i përket qarqeve, Fieri ka numrin më të lartë të të larguarve në pesë vitet e fundit, i ndjekur nga Elbasani e më pas Korça. Por, edhe pse kanë numër të lartë të larguarish, Fieri e Elbasani vijojnë të japin kontribut të lartë në Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit.

Por, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për Korçën, që edhe pse me turizëm të zhvilluar, vlera e shtuar në ekonomi është ndër më të ulëtat. Ndërkohë, Tirana, zyrtarisht, tashmë ka të regjistruar 925 mijë banorë dhe nga 2018-ta i janë shtuar 41 mijë vetë e vijon të mbetet lokomotiva e vendit. Shtesa në vlera të papërfillshme pati edhe Durrësi.

Largimi i popullsisë është një problem që po e vuajnë edhe vendet e rajonit. Serbia që së fundmi zhvilloi censusin zbuloi se nga 2002-shi i janë larguar 850 mijë e 998 banorë, ndërsa mosha mesatare në vend arriti në 43.8-vjeç, duke e bërë kështu një nga vendet me plakjen më të shpejtë në Ballkanin Perëndimor.

Një studim i OECD më 2021-in, tregonte se që nga viti 1990, të paktën 4.8 milion njerëz të lindur në Ballkanin Perëndimor apo 1/5-ta e popullsisë, tani jetojnë jashtë vendit duke përbërë një diasporë të madhe./Top Channel