Aktualitet

Indeksi i Demokracisë, Shqipëria përmirësohet përsëri!

Për të dytin vit radhazi, Shqipëria përmirësohet në Indeksin e Demokracisë, që publikohet nga revista e njohur “The Economist”, duke u renditur e 68-ta, nga vendi i 71-të, vitin e kaluar. Në rajon, pozicionohemi më mirë se Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina, por jo se Serbia, e 63-ta në renditje.

Në 2021-shin, për herë të parë, Shqipëria hyri në grupin e dytë të vendeve të ashtuquajtura “Demokraci me probleme” (ku zgjedhjet janë të lira dhe ka të drejta civile, por ka probleme si me lirinë e medias apo ndrydhjën e opozitës dhe krizën). Ky rezulton rezultati më i lartë i arritur prej vendit tonë që nga viti 2006, kur publikohet indeksi.

Më herët, Shqipëria renditej në grupin e tretë të vendeve me “Demokraci hibride” (kombinim i regjimit politik që shpesh krijohet si rezultat i një kalimi jo të plotë nga një regjim autoritar në një regjim demokratik). Grupi i parë është ai i “Demokracisë së plotë” dhe i katërti, “Autoritar”.

Shqipëria në renditjen e këtij viti mori 6.11 pikë, me një përmirësim të lehtë nga viti i mëparshëm, kur treguesi ishte 6.08 pikë ( nga 10 pikë të mundshme, sa më pak pikë, aq më e përkeqësuar është renditja). Ky është rezultati më i lartë që nga marrë Shqipëria, që nga viti 2006, kur publikohet ky indeks.

Indeksi i Demokracisë bazohet në pesë kategori: procesi zgjedhor dhe pluralizmi, funksionimi i qeverisë, pjesëmarrja politike, kultura politike dhe liritë civile. Bazuar në rezultatet e tij në një gamë të indikatorëve brenda këtyre kategorive, secili vend më pas klasifikohet si një nga katër llojet e regjimit: “Demokraci e plotë”, “Demokraci me probleme”, “Regjim hibrid” ose “Regjim autoritar”.

Vendi është më dobët në kategorinë e “pjesëmarrjes politike”, që kishte një pikëzim prej 4.44, e njëjtë me vitin e kaluar. Më mirë Shqipëria renditet në kategorinë e “lirive civile”, me 7.06 pikë (ndonëse ky tregues ka qenë me rënie në dy vitet e fundit), e ndjekur nga “procesi zgjedhor dhe pluralizmi” me 7 pikë (njësoj me vitin e kaluar), funksionimi i qeverisë (6.43, nga 5.36 që ishte në renditjen e vitit të kaluar), kultura politike (5.6, në rënie nga 6.25 vitin e kaluar). Shteti më demokratik në botë është Norvegjia, i ndjekur nga Zelanda e re, Finlanda, Suedia, Islanda./Monitor