Aktualitet

Inflacioni arrin në 6.2%, më i larti në 20 vite!

Inflacioni në Shqipëri është 6.2%, niveli më i lartë në mbi 20 vjet. Shifrën e konfirmoi INSTAT-i. Ndikimi kryesor nga transporti e ushqimet. Çmimet e produkteve të shportës kanë shënuar rritje gjatë muajit prill, të këtij viti. INSTAT bëri të ditur se inflacioni, që mat ndryshimin e çmimeve të një shporte mallrash të caktuar, arriti në 6.2% në muajin prill, ndërsa ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit, po në muajin e kaluar, krahasuar me marsin 2022 është 0.7%.

Sipas INSTAT-it, rritja vjetore e çmimeve në muajin prill është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3.56 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Transporti” me 1.23 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” u rritën me 0.49 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me +0.21 pikë përqindje secili.

Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” kanë kontribuar me 0.20 pikë përqindje më shumë. Ndërsa çmimet e grupit “Argëtim e kulturë” u rritën 0.12 pikë përqindje, çmimet e grupeve “Veshje dhe këpucë” e “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0.05 pikë përqindje secili.

Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore krahasuar me muajin prill 2021: rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Transporti” me 22.5%, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 9.9%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 4.9%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 4.3%, “Argëtim dhe kulturë” me 4.1%, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 2.7%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2.6%, “Veshje dhe këpucë” me 1.2%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 1.0%, “Komunikimi” me 0.8%, “Shëndeti” dhe “Shërbimi arsimor” me 0.6% secili.

Brenda grupit të ushqimeve, çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyrna” me 24.2%, pasuar nga nëngrupet “qumësht, djathë dhe vezë” me 17.1%, “bukë dhe drithëra” me 16.7%, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 14.3%, “mish” me 7.8%, “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 5.2%, etj.

Ndryshimet mujore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Mars 2022, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u rritën me 2.7%, pasuar nga grupet “Transporti” me 2.3%, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1.1%, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0.8%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 0.5%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Komunikimi”, me 0.3% secili, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0.2%. Ndërsa, grupi “Pije alkoolike dhe duhan” shënoi një ulje me 0.5%, pasuar nga “Veshje dhe këpucë” me 0.1%.