Bota

Irani kërkon “ringjalljen” e shpejtë të negociatave në Vjenë!

Irani kërkoi sot takim të ri, sa më shpejt që është e mundur, në kuadër të bisedimeve që janë zhvilluar në Vjenë të Austrisë, me qëllim ringjalljen e marrëveshjes bërthamore që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore në vitin 2015. Teherani ka zhvilluar negociata të drejtpërdrejta me Britaninë e Madhe, Kinën, Francën, Gjermaninë e Rusinë, si edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në formatin indirekt, meqë amerikanët u larguan nga akordi bërthamor më 2018-ën, me vendim të presidentit të kohës, Donald Trump.

Por, me fitoren e zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit 2020 përballë rivalit Trump, presidenti Joe Biden ka shprehur gatishmëri për rikthim në këtë marrëveshje. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Saeed Khatibzadeh deklaroi:

Një takim ballë për ballë duhet të ndodhë sa më shpejt që është e mundur! Ende nuk është vendosur ku dhe kur do ta kemi këtë takim e se në çfarë niveli duhet të mbahet, por është në axhendë.

Marrëveshja e vitit 2015 përcakton që Republikës Islamike t’i anulohen sanksionet ndërkombëtare, në këmbim të heqjes dorë nga aktiviteti bërthamor.

Khatibzadeh konfirmoi se “Irani dhe Bashkimi Europian janë pajtuar që zgjatja e ndërprerjeve në negociata, nuk është në interesin e askujt”.
Bisedimet në kryeqytetin austriak Vjenë kanë ndaluar prej datës 11 mars të këtij viti, pasi Rusia ka kërkuar garanci se sanksionet e Perëndimit, të vendosura ndaj saj më 24 shkurt, si pasojë e nisjes së pushtimit rus në Ukrainë, nuk do të dëmtojnë tregtinë e Moskës me Teheranin.

Disa ditë më vonë, Rusia bëri të ditur se “ka marrë garancitë që i duhen”. Negociatat në Vjenë synojnë të kthejnë Shtetet e Bashkuara në marrëveshje, si dhe të sigurojnë se Teherani e zbaton atë me përpikmëri.

Në mesin e kërkesave që pengojnë finalizimin e procesit është ajo e Iranit që Uashingtoni ta heqë Gardën Revolucionare Islamike nga lista amerikane për terroristët.

Eshtë e qartë që nëse SHBA-të do të na jepnin përgjigjet e duhura në çështjet që kanë mbetur, secili do të ishte në Vjenë tani!