Bota

Ish-presidenti amerikan Bill Clinton shtrohet në spital/ Në vitin 1999 Clinton dha urdhrin për fillimin e bombardimeve ndaj Serbisë.

Ish presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton është shtruar në spital në Californi. Mjekët bëjnë me dije se ai është në gjendje shumë të mirë.
CNN shkruan se ish-presidenti Clinton u shtrua në spital për një infeksion të traktit urinar, që u përhap në qarkullimin e gjakut. “Ai është në humor të mirë, ka folur me familjen dhe stafin dhe ka qenë në këmbë”, thanë mjekët dhe stafi i tij.
“Pas dy ditësh trajtimi, numri i qelizave të bardha të gjakut po zvogëlohet dhe ai po i përgjigjet mirë antibiotikëve. Ne shpresojmë që ai të kthehet në shtëpi së shpejti”, thanë mjekët, shkruan BBC.
75-vjeçari Klinton ishte të martën në Californi për një aktivitet privat të fondacionit të tij, kur ishte ndjerë i lodhur dhe u pranua në spital pas testimit, sipas zyrës së tij.

Kujtojmë se Bill Klinton është padyshim një mik i shqiptarëve.

Më 24 mars të vitit 1999, aeroplanët e NATO-s filluan fushatën e bombardimeve kundër forcave serbe, duke shënuar kësisoj fillimin e fundit të luftës gati dyvjeçare në Kosovë. Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton.
Presidenti atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se e kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë. Lufta mori fund pas një operacioni 78-ditor të NATO-s.
Sulmet ajrore kundër forcave serbe e vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i Millosheviçit dhe më 11 qershor forcat e serbe filluan ta lëshojnë territorin e Kosovës.