Bota

Ish-presidenti amerikan Obama, apel Izraelit të respektojë ligjin ndërkombëtar!

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, sot i bëri thirrje Izraelit që të jetë i matur në operacionet ushtarake në Rripin e Gazës, pas sulmeve të 7 tetorit nga grupi militant Hamas në qytetet jugore izraelite. Në platformën online, Medium, Obama shkroi:

Siç presidenti Biden e ka theksuar vazhdimisht, në veçanti ka rëndësi që ushtria e Izraelit t’i përmbahet ligjit ndërkombëtar, përfshirë ligjeve të cilat kërkojnë shmangien e vdekjeve dhe vuajtjeve të popullatës civile. Mijëra palestinezë tashmë kanë vdekur si pasojë e bombardimeve në Gaza, shumica prej tyre fëmijë. Qindra mijëra njerëz janë zhvendosur në këtë vend.

Ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë shtoi se “pas brutalitetit të papërshkrueshëm nga Hamasi, Izraeli ka të drejtë t’i mbrojë qytetarët e vet nga dhuna e tillë, por bota po shikon me vëmendje”.

Izraeli është duke e bombarduar pareshtur Rripin e Gazës që nga koha kur Hamasi kreu sulme intensive më 7 tetor në qytetet jugore izraelite ku vrau më shumë se 1 mijë e 400 vetë. Si pasojë e sulmeve ajrore izraelite kanë humbur jetën më shumë se 5 mijë palestinezë, sipas zyrtarëve në Gaza.

Obama shtoi:

Vendimi i Qeverisë së Izraelit për ta ndërprerë furnizimin me ushqim, ujë dhe energji elektrike për një popullsi civile të rrethuar, kërcënon jo vetëm përkeqësimin e krizës humanitare në rritje, por mund ta ashpërsojë edhe qëndrimin palestinez për breza më radhë, ta shkatërrojë mbështetjen globale për Izraelin, t’u japë përparësi armiqve të Izraelit, si dhe t’i minojë përpjekjet afatgjata për arritjen e paqes e stabilitetit në rajon.

Ish-presidenti amerikan e mbështeti plotësisht presidentin aktual, Joe Biden, i cili u zotua ta përkrahë Izraelin për “luftën kundër Hamasit, çarmatimin e grupit militant palestinez, si dhe ndërmjetësimin e kthimit të sigurt të qindra pengjeve te familjet e veta”.

Barack Obama theksoi se është e kuptueshme që shumë izraelitë kanë kërkuar që qeveria e tyre të bëjë gjithçka që nevojitet për ta rrënuar Hamasin dhe për t’u siguruar që sulmet nga Hamasi nuk do të ndodhin më kurrë.