Lajmet e fundit

Itali, nisin protestat e dhunshme ndaj masave të reja anti-COVID

Masat e reja anti-COVID çuan në protesta të dhunshme në Itali. Në Torino, protestuesit u përplasën me policinë duke hedhur lëndë shpërthyese  ndërsa në Milano ku turma bënte thirrje për liri, agjentët përdorën gaz lotsjellës për ta shpërndarë.  Episodet e dhunshme nuk kursyen as Napolin e gjithashtu protesta pati në Romë, Palermo, Trieste e Genova. Në Milano policia shoqëroi 28 persona mes tyre 13 të mitur.

Manifestimet pasuan hyrjen në fuqi të urdhrit për mbylljen e palestrave, kinemave si edhe të bareve e restoranteve në orën 18:00. Shumë rajone italiane vendosën ndalim-qarkullimin natën e deri në mëngjes, mes tyre dhe Lombardia. Një numër biznesesh të vogla  i druhen falimentimit nga kufizimet e mëtejshme, sipërmarrësit thonë që ende nuk janë rikuperuar nga perjudha e karantinës në muajt Mars-Maj.