Bota

Izraeli ndryshon qëndrim, dërgon strategët e luftës në Uashington!

Izraeli ndryshoi qëndrim dhe ra dakord të dërgojë strategët e luftës në Uashington, për të diskutuar synimin e tij për të nisur një sulm tokësor ndaj militantëve të Hamasit në Rafah, qytet jugor i Gazës. Të hënën, Izraeli anuloi udhëtimin, në shenjë proteste pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për të mos i vënë veton një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm në luftën Izrael-Hamas.

Shtetet e Bashkuara, aleati më i vendosur i Izraelit në luftën gati 6-mujore, abstenuan nga votimi i kësaj jave në OKB, ndonëse me herët u vunë veton rezolutave të ngjashme. Kjo nxiti një reagim nga kryeministri Benjamin Netanyahu, dëshmi e mospajtimeve në rritje me Uashingtonin mbi luftën e shtetit hebraik.

Por, ndonëse Netanyahu anuloi udhëtimin e një grupi të strategëve të tij të luftës, ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant ishte në Uashington për bisedime me sekretarin e Mbrojtjes, Lloyd Austin dhe sekretarin e Shtetit, Antony Blinken.

Netanyahu ka thënë se një sulm në Rafah është i nevojshëm për t’i dhënë fund çdo kontrolli të Hamasit mbi Gazën, enklavën e ngushtë përgjatë Detit Mesdhe. Por, Shtetet e Bashkuara i bënë të qartë se janë kundër një pushtimi të Rafahut ku janë strehuar më shumë se një milion civilë palestinezë.

Izraeli ka thënë se do t’i zhvendosë palestinezët në zona të sigurta, përpara çdo sulmi ndaj katër batalioneve të Hamasit në Rafah, por nuk ka sqaruar se ku do t’i dërgojë.

Ndërsa pohoi se abstenimi amerikan në Këshillin e Sigurimit ishte “shumë, shumë i keq”, kryeministri Netanyahu i tha senatorit republikan Rick Scott se anulimi fillestar i udhëtimit të delegacionit izraelit “ishte një mesazh para së gjithash për Hamasin: “mos vini bast për këtë presion (nga Kombet e Bashkuara për një armëpushim). Nuk do të funksionojë!”.

Kryeministri Netanyahu u shpreh se në Këshillin e Sigurimit, votimi “inkurajoi Hamasin të mbajë një qëndrim të ashpër dhe të besojë se presioni ndërkombëtar do ta pengojë Izraelin” të përmbushë synimet e luftës së tij. Izraeli është zotuar të vazhdojë luftën deri në shkatërrimin e ushtrisë së Hamasit dhe lirimin e rreth 10 pengjeve që mbahen nga grupi militant.

Shtëpia e Bardhë tha se është “një gjë e mirë” të zhvillohen më shumë bisedime me zyrtarët izraelitë dhe se po diskutohet një datë për mbajtjen e tyre.

Lufta shpërtheu pasi militantët e Hamasit kryen një sulm në Izraelin jugor, më 7 tetor. 1 mijë e 200 persona u vranë, ndërsa u morën peng 250 të tjerë. Më shumë se 100 u liruan në nëntor, gjatë një armëpushimi njëjavor.

Ministria e Shëndetësisë në Rripin e Gazës të drejtuar nga Hamasi thotë se më shumë se 32 mijë e 400 njerëz janë vrarë gjatë kundërofensivës së Izraelit. Në numrin e përgjithshëm përfshihen luftëtarët e Hamasit dhe civilët, ndërsa ministria thotë se dy të tretat e të vrarëve janë gra e fëmijë.