Celebrities Music

Ja sa shtete do të garojnë në “Eurovision 2022”!

Torino është zyrtarisht qyteti që do të mirëpresë festivalin “Eurovision” vitin e ardhshëm. Kandidatura e paraqitur gjatë verës nga kryebashkiakja Chiara Appendino, rezultoi me fitore duke lënë prapa qytete tjera të njohura si Milano, Bolonja, Pesaro, Roma e të tjerë. Italia do të organizojë “Eurovision 2022”, pasi grupi i rokut, Maneskin, i solli fitoren këtij shteti në edicionin e këtij viti të mbajtur në Roterdam.

Në këtë festival do të konkurrojnë 41 shtete. Konkursi i 66-të do të zhvillohet në arenën PalaOlimpico në Torino më 10, 12 dhe 14 maj. Në këtë festival përveç 39 vendeve që morën pjesë në konkursin 2021, do të jenë edhe Mali i Zi dhe Armenia. Mbikëqyrësi ekzekutiv i konkursit, Martin Osterdahl u shpreh se:

Ne jemi aq të lumtur që kemi edhe një herë mbi 40 vende që konkurrojnë për të fituar trofeun ikonik të Eurovision. Festivali do të ofrojë emocionin dhe spektaklin e avancuar të artit që pritet nga afro 200 milionë shikues.

EBU tha se 36 vende do të konkurrojnë në dy gjysmëfinale, 10 nga secila që do të bashkohen me të ashtuquajturit ‘Pesë Mbështetësit kryesorë financiarë’ – Britania, Franca, Gjermania, Italia dhe Spanja. Qyteti i Torinos thuhet se ofroi gati shtatë milionë euro, një shifër për të cilën komuna ka kontribuar nga xhepi i saj derisa pjesë e kontributit janë edhe fondet e shtuara nga autoritetet lokale dhe shoqatat territoriale. Qyteti pritës duhet të kishte një aeroport ndërkombëtar që është jo më shumë se 1 orë e 30 minuta larg nga ngjarja.

Qyteti i zgjedhur gjithashtu duhet të përgatisë një ofertë hoteli me mbi 2.000 dhoma në afërsi të ngjarjes, e cila domosdoshmërisht duhet të zhvillohet në një infrastrukturë të brendshme, perimetër të mirë dhe të pajisur me ajër të kondicionuar sipas standardeve aktuale. Struktura duhet domosdoshmërisht të ketë një kapacitet prej 8000-10.000 spektatorësh në sallën kryesore, e cila korrespondon me 70% të kapacitetit maksimal të parashikuar për koncerte normale.

Rikujtojmë se, disa fjalë po qarkullojnë gjithashtu edhe për drejtuesit e “Eurovision 2022”. Në krye të listës së kandidatëve sipas atyre që po qarkullojnë janë blogerja e njohur italiane Chiara Ferragni dhe Alessandro Cattelan, që njihet ndryshe si Jimmy Fallon i Italisë. Lajmi u përhap nga e përjavshmja “Oggi”, sipas së cilës “Rai” ja ka vënë sytë influenceres së njohur në të gjithë botën dhe moderatorit të suksesshëm.