Sport

Java e parafundit e Superiores/ Nga “Klasikja” e Air Albania-s te “finalja” në Korçë!

Java e parafundit e Superiores do të zhvillohet të mërkurën në orën 16:00. Javët e fundit, janë përcaktuar që të luhen në të njëjtën datë e në të njëjtën orë, për të shmnagur llogaritë e skuadrave, të cilat garojnë për të përmbushur objektivat e tyre.

Në kryeqytet, do të luhet klasikja e futbollit shqiptar, Tirana-Vllaznia. Bardheblutë po kalojnë një moment të vështirë dhe humbja me Laçin në fundjavë i ka komplikuar shumë llogaritë për të qenë pjesë e “Final4”. Për të shpresuar tek vendi i katërt, të besuarit e Faguit duhet me patjetër të mos dalin duarbosh nga përballja me Vllazninë.

Kuqeblutë siguruar pjesëmarrjne në ‘Final4” falë golit të Dodajt në limite përballë Dinamos, por tani ka shpresë se mund të arrijë dhe vendin e parë, ndaj përballë Tiranës vjen e motivuar. Bardheblutë duhet të bëjnë kujdes edhe për fundin e tabelës, pasi dy humbje në këto dy ndeshje do të rrezikonin dhe vendin e tetë, ose e thenë më thjeshtë zonën “play-out”.

Egnatia kryesuese po e rrezikon vendin e parë, teksa pas humbjes me Teutën në fundjavë e ndjen presionin e Vllaznisë dhe Partizanit që janë vetëm 3 dhe 4 pikë larg. Rrogozhinasve do u duhen dhe 4 pikë në dy javët që kanë mbetur për të ruajtur pozitën aktuale, por nuk dotë jetë e lehtë, pasi do të luajnë me Dinamon të mërkurën dhe më pas me Tiranën në shtëpi.

Nëndetësja blu garon për një vend në “Final4” dhe do tentojë me patjetër të marrë maksiumin, në mënyrë që të vazhdojë të ruajë vendin e katërt.

Shumë interesante pritet që të jetë dhe sfida në Korçë, mes Skënderbeut dhe Laçit. Korçarët janë mes dy “zjarreve”, pasi nëse marrin një fitore do të ishin kandidat potencial për të qenë mes katër skuadrave më të mira në fundin e sezonit, por në anën tjetër nëse Laçi fiton atëherë do të rrezikonin që të shkonin dhe në “play-out”.

Kurbinasit e dinë mirë se për të shmangur ndeshjen shtesë për qëndrimin në elitë duhet të marrin maksimumin në Korçë fillimisht, pasi një tjetër rezultat veç fitores do i bënte që të humbnin mundësinë për të shmangur vendin e tetë.

Partizani pasi siguroi kualifikimin në “Final4” tani ka si qëllim që të arrijë një nga dy vendet e para. Diferenca me Egnatian është vetëm 3 pikë, ndërsa Vllaznia ndodhet 1 pikë larg. Kalendari i favorizon të kuqtë që në dy takimet e fundit luajnë me dy skuadrat e renditura të fundit në renditje.

Kukësi, i cili më shumë po mendon për finalen e Kupës së Shqipërisë do të jetë kundërshtari i radhës për “demat” të cilët tani e kanë të qartë se duhet të marrin 6 pikë në këto dy ndeshje e të shpresojnë tek ndonjë hap i gabuar i dy rivalëve që ndodhen më sipër.

Erzeni, i cili pas ndeshjes së fundit me Kukësin u njoh me fatin e tij do të presë Teutën. Shijakasit do duhet të respektojnë kampionatin në këto dy ndeshje që kanë mebetur dhe përballë gjejnë një prej skuadrave që ka ndryshuar korsi, pasi nga objektivi për të shmangur rënien tani ka si qëllim real e të arritshëm vendin e katërt.

Nëse “djemtë e detit” marrin maksiumin ndaj Erzenit me shumë gjasa do e kthejnë në një finale të vërtetë për “Final4” sfidën e fundit me Dinamon, ndonëse duhet të kenë mendjen dhe tek Tirana dhe Dinamo, të cilat kanë ndeshje tepër të vështira këto dy javë.