Aktualitet

Java mbyllet me mot të ftohtë/Kujdes në akset me ngrica!

Deri në mesditë, në territorin e vendit dominon mot me vranësira të dendura e intervale me kthjellime. Më të dendura, vranësirat janë në zonat veriore e pjesërisht në qendër të territorit. Pasdite ka një largim gradual të tyre, duke ia lënë vendin motit të kthjellët por të ftohtë. Temperaturat ulen ndjeshëm e variojnë nga minus 7 në 12 gradë celcius. Për shkak të vlerave të tyre jo të larta, në rrugë ka ngrica.

Tashmë, vendi ynë nuk është më nën ndikimin e frontit polar që në fillim të javës që po lemë pas u shënua me temperatura rekord të ulëta, por në zona të ndryshme sidomos në veri, verilindje e juglindje, vazhdon të jetë ftohtë. Në të gjithë territorin janë 1100 km rrugë që menaxhohen në kuadër të projektit me Bankën Botërore për mirëmbajtjen e tyre. Kjo përfshin vënien në punë të 116 borë-pastrueseve, 380 mjeteve të tjera dhe mbi 820 punonjës që punojnë çdo ditë.

Ndërkaq, veçohet fakti se kësaj here u arrit që prej nëntorit të mbahet i hapur aksi i Thethit, ku zakonisht muret e borës e bëjnë të pamundur kalimin. Në tërësi, problematika u shënuan në 25 rrugë në veri e në lindje, ku janë dashur të përdoren zinxhirët dhe të ndërhyhet për t’i hapur nga reshjet e vazhdueshme të dëborës.

Në kushtet e motit të ftohtë, me dëborë e ngrica, drejtuesit e mjeteve këshillohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, të respektojnë sinjalistikën rrugore,  të reduktojnë shpejtësinë e makinave, të pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore e të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore. Orët e fundit u rekomandua përdorimi i zinxhirëve në segmentin Qafë Mollë-Bizë, si edhe në akset Bajram Curri-Valbonë, Kukës-Ura e Zapodit, Qafë Mali-Fierzë, Dedaj-Razëm-Bogë, Kuben-Vasije, Qafë Qelë-Pukë-Fushë Arrëz-Fushë Dukagjin, Skurraj-Peshkopi, Hani i Hotit-Tamarë, Bogë-Theth e Tamarë-Vermosh.