Aktualitet Travel

Jo pa arsye, CNN promovon Shqipërinë dhe Kosovën për sezonin veror 2022!

Shqipëria dhe Kosova janë dy nga gjashtë destinacionet që CNN sugjeron për turistët për sezonin veror 2022. Kjo pasi vendi jonë dhe Kosova konsiderohen si vende me risk të ulët rreziku nga pandemia e COVID.

Njerëzit që duan të bëjnë një udhëtim në Evropë, por duan të shmangin destinacionet me rrezikun më të lartë të COVID-19 kanë vetëm disa zgjedhje. Shqipëria, Bosnjë Hercegovina dhe Kosova, të gjitha në Gadishullin Ballkanik ose Armenia, në rajonin malor të Kaukazit.

CNN bazohet në analizat e Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, të cilat kanë kategorizuar vende në 4 nivele, sipas rrezikshmërisë nga COVID dhe masave anti-COVID. Qendrat Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve nuk shtuan asnjë destinacion të ri në kategorinë e nivelit 4 të rrezikut më të lartë për udhëtime.

Në fakt, 7 destinacione në Azi dhe Karaibe u zhvendosën në kategorinë me rrezik më të ulët të CDC-së për udhëtime gjatë pandemisë, që është niveli 1. Por pjesa më e madhe e vendeve të Evropës mbeten ende në nivelin 4, pra me risk të madh. Mbretëria e Bashkuar, përshembull është në nivelin 4 që nga 19 korriku 2021.

Kjo e vendos Anglinë, Skocinë, Uellsin dhe Irlandën e Veriut të gjitha në kategorinë e rrezikut “shumë të lartë” për COVID-19. CDC cakton një destinacion me rrezik të nivelit 4 kur më shumë se 500 raste për 100,000 banorë regjistrohen në 28 ditët e fundit. Shumë nga emrat e shteteve të mëdha në Evropë mbeten në nivelin 4 edhe me fillimin e sezonit të udhëtimeve pranverore.

Rikujtojmë, se gazeta e njohur italiane “Corriere della sera” i ka kushtuar një shkrim vendit tonë, me fokus, ato që i përshkruan si “thesare të fshehura, për t’u zbuluar”. Artikulli mban firmën e autores Francesca Masotti.