Aktualitet

Ju drejtuan Thethit për të shijuar natyrën dhe dëborën! Dhjetëra mjete të turistëve, të bllokuara në Qafë Thorë!

Dhjetëra mjete kanë mbetur të bllokuara në Qafë Thorë mesditën e sotme. Duke shfrytëzuar ditët e pushimeve, vizitorë të shumtë iu drejtuan Thethit për të shijuar bukuritë e zonës dhe dëborën.

Ndonëse është punuar për pastrimin e dëborës, një pjesë e mirë e automjeteve nuk kanë patur zinxhir dhe janë bllokuar duke pezulluar edhe lëvizjen e makinave të tjera.

Qarkullimi drejt Thethit është zhbllokuar pas disa orësh por këshillohet që drejtuesit e automjeve që duan të vizitojnë këtë pikë turistike, të jenë të pajisur me zinxhirë.

Reshjet e shiut të nisur mëngjesin e kësaj të marte kanë krijuar probleme edhe në rrugën e Arbrit.

Si pasojë e intensitetit të lartë të shiut dhe erës së fortë në rrugën e Arbrit ka rënie të vazhdueshme të gurëve.

Më problematike situata paraqitet në bajpasin e Murrizit ku ka rënie gurësh si në fshatin Bastar i Mesëm të Tiranës, ashtu edhe në fshatin Murrize të Njësisë Xibër të Klosit. Ndërkohë rënie gurësh ka edhe në afërsi të tuneleve të fshatit Shkallë.

Këshillohet që drejtuesit e mjeteve që përdorin këtë aks rrugor të tregohen shumë të kujdesshëm pasi përballen me befasi si pasojë e gurëve në rrugë.

Po ashtu si pasojë e reshjeve intensive ka prezencë të madhe të ujit në rrugë. Edhe në segmentin Fushë Arrëz-Mirditë ka pasur shembje masive gurësh.