Aktualitet

Kamp refugjatësh në Shqipëri? Debate në Komisionin e Sigurisë!

Debate të forta në Komisionin e Sigurisë, gjatë shqyrtimit të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, për ripranimin e personave dhe protokollit zbatues të marrëveshjes”. Debatet u nxitën nga shkrimet e fundit në mediat britanike që aludojnë se Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria do të arrijnë marrëveshje që në vendin tonë të ngrihet një kamp refugjatësh për të gjithë emigrantët e paligjshëm atje. Nga zv.ministri i Brendshëm, Andi Mahila, opozita përmes deputetëve demokrate Ferdinand Xhaferraj dhe Enkelejd Alibeaj, kërkoi sqarime nëse bëhet fjalë për të njëjtin akord.

Xhaferraj: Kjo marrëveshje ka prodhuar debat në mediat britanike, se po negociohet për të ngritur një kamp refugjatësh. Problematika është për faktin që Shqipëria do të presë njerëz nga vende të treta.

Zv.ministri Mahila: Asaj që doli në mediat britanike iu kthye përgjigje shteruese. Kjo marrëveshje nuk ka fare lidhje me atë që shkruhet në mediat britanike. Eshtë identike me atë që kemi me vendet e tjera të BE-së.  Nuk ka asnjë lloj mundësie që Shqipëria të kthehet në vend grumbullimi të një numri masiv emigrantësh. E para, kjo marrëveshje ka në thelb shtetasit shqiptarë, vetëm një pjesë është për të vendeve të treta. Që ne të pranojmë një shtetas të vendeve të treta, duhet që ai të jetë nisur nga Shqipëria ose të ketë patur leje qëndrimi nga Shqipëria. Pra, ky shtetas të ketë patur lidhje dhe të ketë shkuar në Mbretërinë e Bashkuar, nga Shqipëria. Atëherë, merret në shqyrtim nga Shqipëria. Nuk bëhet fjalë për të marrë, pa kaluar në procedurën e verifikimit e vetëm atëherë mundet të kthehet në Shqipëri. Sa i përket tranzitit, mund të ndodhë që shtetasit atje, duan të kthehen në vendet e tyre, Shqipëria merr përsipër vetëm për të krijuar lehtësitë për tranzitin. Çdo gjë tjetër është në dorë të vendit iniciues. Dhe në rastin konkret, nuk bëhet gjë nëse vendi i origjinës nga u nis, nuk deklaron se e pranon.

Xhaferraj: A krijohet mundësia që të vijnë shtetas të vendeve të treta apo ato pa shtetësi?

Zv. ministri: Jo, nuk ka!

Alibeaj: Mediat britanike shkruajnë se “ministrja atje ka deklaruar se do të ketë një marrëveshje me Shqipërinë për të grumbulluar këta emigrantë të paligjshëm, jo vetëm shqiptarë, por edhe të palëve të treta”. Kjo marrëveshje për të cilën po diskutojmë sot, a është e njëjtë me atë, për të cilën foli ministrja e Brendshme?

Zv.ministri: Për pyetjen tuaj është dhënë sqarim shterues nga kryeministri, ministrja e Jashtme, ambasadorja. Nuk ka marrëveshje për këtë. Kjo marrëveshje, nuk ka fare lidhje me atë lajm të dalë në mediat angleze.

Alibeaj: A mos ndoshta po bëhet ndonjë biznes në territorin shqiptar për të depozituar refugjatë të deportuar nga Mbretëria e Bashkuar, për të përfituar të gjitha fondet e dhëna nga Mbretëria e Bashkuar? Bëhet fjalë për 100 mijë paund për emigrant.

Zv.ministri:  Në protokollin e zbatimit, gjithçka është e përcaktuar mirë se kush, si dhe kur do të bëhet gjithçka. Nëse janë apo s’janë në marrëveshje ato që ju thatë, nëse keni përpara faktin këtu, nuk vlen fare fjala gënjeshtër. Eshtë detyrim i Republikës së Shqipërisë të jetë pjesë e të parashikojë në mënyrë ligjore procedurat që kryhen me shtetasit e saj, si edhe për të palëve të treta.