Sport

Kategoria Superiore, fitorja fut Skënderbeun në lojë; zhgënjen Tirana

Mungesa e vazhdimësisë është ajo që ka bërë diferencën këtë vit te Tirana dhe kjo u pa edhe sot ndaj Bylisit në Ballsh. Bardheblutë që vinin pas dy fitoreve radhazi u duheshin 3 pikë por e mbyllën pa gola në stadiumin “Adush Muca”.

Barazimi Tirana-Bylis, i dha një goditje të rëndë shpresave të kryeqytetasve për mbrojtjen e titullit, ndërsa ballshiotët rrezikojnë mbijetesën.

Sfida tjetër e Kategorisë Superiore, ajo mes Kastriotit dhe Skënderbeut u mbyll 0-2.

Ky rezultat i ujqerve të dëborës, fut në lojë Skënderbeun në garën për të mos rënë nga kategoria, kur kanë mbetur 5 javë nga fundi.

Ndërkaq, të dyja këto sfida u transmetuan në kanalet Supersport 3 dhe Supersport 4 në Digitalb. Aktualisht Kastrioti është në kuotën e 31 pikëve, Bylisi 30, Skënderbeu 29 dhe Apolonia 20 pikë.

Nesër është radha e tre sfidave: Laçi-Kukësi në 15:00, si dhe Vllaznia-Teuta e Partizani-Apolonia në orën 18:00 e gjithashtu do të vijnë live në Supersport.