Sport

Abissnet Superiore, sot Laçi-Kukësi, Teuta-Vllaznia e Partizani-Tirana!

Java e 24-rt e “Abissnet Superiore”, sot mbyllet me tre sfida, duke filluar nga ora 13:00 me takimin Laçi-Kukësi. Dy skuadrat kërkojnë ngjitjen në klasifikim e pritet një ndeshje e luftuar. Në këtë sfidë, verilindorët vijnë pas fitores me Partizanin, ndërsa kurbinasit pas barazimit me Erzenin.

Më tej, ora 16:00 i rezervohet përballjes Teuta-Vllaznia në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Mjaft të karikuar nga rezultatet e fundit, sidomos nga fitorja në javën e kaluar përballë Tiranës, durrsakët do të kërkojnë të ruajnë ecurinë pozitive. Nga ana tjetër është një Vllazni e “plagosur” nga humbja 0-1 me Kastriotin e tani po kërkon ringritjen.

Ndërkaq, sonte në orën 19:00 e gjithë vëmendja është në Stadiumin “Air Albania” ku do të luhet derbi mes Partizanit e Tiranës. Një sfidë që i përmban të gjitha, aq më tepër që në lojë është dhe vendi i parë. Largësia mes dy skuadrave rezulton vetëm tri pikë, me bardheblutë që mbajnë vendin e parë dhe me të kuqtë në ndjekje.

Policia e kryeqytetit ka hartuar plan masash për ruajtjen e rendit dhe sigurisë, që përfshin edhe rrugë të bllokuara. Nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit bllokohen:

Rruga “Lek Dukagjini”, përreth stadiumit, rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri te “Air Albania”, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga Presidenca te Sheshi “Nënë Tereza”.

Do të ketë bllokim të pjesshëm të rrugëkalimeve të tifozëve:

Lëvizja e tifozëve të Partizanit do të bëhet nga kryqëzimi i rrugës “Muhamet Gjollesha” me rrugën “Artan Lenja”, përgjatë rrugës “Muhamet Gjollesha”, rruga “Sulejman Delvina”, rruga “Gjergj Filipi” – stadiumi;

Lëvizja e tifozëve të Tiranës do të bëhet nga Sheshi “Skënderbej”, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, rruga “Bajram Curri”, Rruga e Elbasanit, rruga “Dervish Hima” – Stadiumi.

Policia do të garantojë e sigurojë lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të caktuara dhe nuk lejon grumbullim apo kalim të tifozëve, jashtë itinerarit.

Po në zbatim të planit të masave do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve, para hyrjes në stadium, për sende të kundërligjshme (sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalik apo lëndë piroteknike etj). Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.

Nuk lejohen të futen në stadium persona pa dokument identifikimi, si dhe fëmijët nën 16 vjeç, pa praninë e prindit apo kujdestarit (shoqëruar me dokument).

Tifozët të kenë me vete dokument identifikimi, pasi në të kundërt nuk do të lejohet hyrja në ambientet e stadiumit.

Gjithashtu, nuk lejohen të futen në stadium të gjithë ata tifozë të cilët në aktivitete të ndryshme sportive janë të identifikuar nga Policia, si problematikë.

Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e tifozerive respektive, për zbatimin e detyrimeve të mësipërme, si dhe mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete në segmentet rrugore të lartpërmendura, në oraret e caktuara.