Aktualitet

Kërkesë në Kuvend, 50% e të ardhurave për çimenton, çelikun, kromin!

Në Komisionin kuvendor të Ekonomisë, deputetët përshëndetën vendimin e qeverisë për të taksuar me 50% të ardhurat e jashtëzakonshme të prodhuesve privatë të energjisë që nuk ia shesin shtetit, por e tregtojnë atë më lirë në treg. Por, kërkuan që i njëjti parim të ndiqet edhe me karburantet e sektorë të tjerë.

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku:

Energjia dhe karburantet nuk duhet të ndahen nga njëri-tjetri. Nëse ka çmime të rritura të energjisë elektrike që po përfitojnë shtesë prodhuesit e energjisë, edhe për karburantet duhet të jetë e njëjta logjikë!

Deputeti socialist, Erion Braçe:

Ajo që kërkova unë ka të bëjë me naftën bruto të prodhuar në vend. Raportet midis ndikimit të çmimit të energjisë elektrike, kostove të shtuara të çmimit të energjisë elektrike që ata e blejnë në treg të lirë me të ardhurat e tyre, është një ushtrim që duhet bërë! Të sjellë një kontribut në Buxhetin e Shtetit si fitim i drejtpërdrejt me atë normën që kemi vendosur prej 50%! Të njëjtin ushtrim e kërkoj edhe për hekurin, edhe për çimenton, edhe për industritë e tjera, të cilave ua kemi bërë nganjëherë favor.

Debati pati edhe për çmimin e karburanteve, ndërsa deputeti Braçe kërkoi t’i jepet fund favorizimeve dhe të ketë më shumë kontroll se sipas tij, “kompanitë po abuzojnë me rritjen e çmimeve”.

Ju e dini fort mirë që nafta nuk blihet sot për nesër, e dini fort mirë. Të hysh sot në bursë ke në avancë blerje nafte deri një vit më përpara.
Braçe iu drejtua zv.ministrit të Energjisë, Ilir Bejtja, i pranishëm në Komisionin e Ekonomisë, i cili replikoi me deputetët dhe deklaroi:

Për bizneset e mëdha, ato të shumicës marzhi është 2.7 lekë, për bizneset e vogla, pra pikat e shitjes është 12.3. Të gjitha kompanitë, njësoj. Ju keni të vërtetën tuaj!

Detyrimi për taksimin e jashtëzakonshëm të prodhuesve të energjisë prek tre kompani “Shtatkraft”, “Ayen” e “Kurum”, ku shteti synon të arkëtojë rreth 70 milion euro.