Aktualitet Politikë

Kërkoi heqjen e masës së arrestit, shtyhet seanca për Berishën, avokati: GJKKO kërkon t’i djegë mandatin!

Gjykata e Posaçme ka shtyrë sërish seancën për ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili kërkon heqjen e masës së sigurisë “arrest në shtëpi”.

Gjyqtarja e GJKKO-së, Irena Gjoka ka shtyrë seancën me argumentin se ish-kryeministri nuk e ka specifikuar në prokurë që të përfaqësohet nga avokatët. Seanca e radhës është caktuar më 8 mars.

Avokatët thonë se kanë paraqitur sërish një kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Gjoka.

Avokati i tij Genc Gjokutaj u shpreh për mediat se gjyqtari i vërtetë i kësaj çështjeje është kryeministri Edi Rama.

“Sot kishim seancën e shtyrë nga seanca e kaluar për revokimin e masës së sigurisë arrest shtëpie për Berishën. Gjykata nuk e pranoi arsyetimin që ne ta përfaqësojmë në mungesë.

Në qëllimin e saj që i ka vendosur vetes për të djegur mandatin e Berishës, e shtyu sërish pa asnjë shkak ligjor”, – tha Gjokutaj.

Ndërkohë, të martën në orën 10:50 një Kolegj Penal i përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Sokol Binaj e Sandër Simoni do të gjykojë pretendimin e Berishës për të shuar masat e para të sigurisë ndaj tij, atë të “detyrimit për paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”.

Ndërsa po nesër në Gjykatën e Lartë pritet të shqyrtohet rekursi i SPAK, që kërkon kthimin e Malltezit në qeli.

Berisha ndodhet në “arrest shtëpie”, masë e caktuar nga Gjykata e Posaçme, pas kërkesës së SPAK, për korrupsion së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet se ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.

Në GJKKO, këtë të hënë do mbahet edhe një seancë për dhëndrin e Berishës, Jamarbër Malltezi, i cili kërkon po ashtu heqjen e masës “arrest në shtëpi”. Seanca pritet të nisë rreth orës 12:00.