Politikë

Këshilli i anuloi, grupi i Bashës mban sot zgjedhjet për kreun e PD! 25 mijë anëtarë thirren të votojnë, Bardhi çon çështjen në gjykatë

Teksa grupi i Gazment Bardhit po bën të gjitha përpjekjet për të ndaluar rikthimin e Lulzim Bashës në drejtimin e Partisë Demokratike, grupi i këtij të fundit do të mbajnë sot zgjedhjet për kreun e ri të partisë. Në këto zgjedhje PD po shkon e ndarë në 3 pjesë.

71 qendra votimit do të jenë të hapura nga ora 08:00 deri në 19:00, ndërsa anëtarët që do të votojnë duhet të paraqesin kartën e identitetit dhe kartën e anëtarësisë së Partisë Demokratike. Numri i anëtarëve që pritet t’u drejtohen sot kutive të votimit është reduktuar në më pak se 1/3 krahasuar me zgjedhjet e fundit të vitit 2021 në PD, nga rreth 75 mijë anëtarë demokratë, në 25 mijë.

Në zgjedhjet e sotme nuk priten surpriza, pasi përballë Lulzim Bashës është Gjergji Hani. Dy kandidatët e një gare të cilësuar me fitues të paracaktuar në PD, do të votojnë në selinë me qira. Një ditë më parë, Kryetari i Komisionit Zgjedhor në PD, Jemin Gjana u ka bërë thirrje demokratëve që të votojnë, duke theksuar se procesi është legjitim.

“Ftesa ime për të gjithë demokratët është ti bashkëngjiten procesit të votimit. Ftesa është e hapur, legale, statutore, jo vetëm për ata që janë pjesë e listave të miratuara, por ftesa është e hapur për të gjithë demokratët që disponojnë dokumentet e anëtarësimit në PD”, tha Gjana.

Mbajtja e këtyre zgjedhjeve ka sjellë një tjetër përplasje brenda Partisë Demokratike zyrtare, ndërsa procesi po kundërshtohet ashpër nga një pjesë e rëndësishme e partisë e kryesuar nga Bardhi, të cilët e konsiderojnë një proces antistatutor. Një ditë më parë deputetët pro-Bardhi çuan në Gjykatë çështjen e PD-së, duke depozituar vendimin e Këshillit Kombëtar për anulimin e zgjedhjeve, përfshirë kërkesën për çregjistrimin e Lulzim Bashës që vijon të jetë kryetar i PD në regjistrin e partive politike.

Në përpjekje për të ndaluar zgjedhjet, Bardhi thirrje një mbledhje të Këshillit Kombëtar ku 245 anëtarë votuan pro anulimit të zgjedhjeve, si edhe pezulluan funksionimin e Kryesisë së PD. Këto vendime e fusin Partinë Demokratike në një tjetër ngërç, pasi dy grupet brenda PD zyrtare po vijojnë me veprime të njëanshme. Grupi i Bardhit po përpiqet të pengojë Bashën që të vendoset sërish në krye të partisë, ndërsa grupi i Bashës vijon me vendosmëri rrugën për rikthimin e tij në drejtimin e PD dhe po mbajnë procesin zgjedhor.

Këshilli ka ngarkuar 7 deputetët që kërkuan anulimin e zgjedhjeve që të ndjekin të gjitha hapat ligjorë dhe statutor për zbatimin e vendimeve të Këshillit, si dhe për përfaqësimin e Partisë Demokratike, në rrugë ligjore për të kundërshtuar çdo akt që bie ndesh me vendimin. Ky vendim lë të hapur mundësinë që të kemi një tjetër përballje në gjykatë për fatin e PD, në kushtet edhe kur ende Gjykata e Shkallës së Parë nuk është shprehur me një vendim se kujt i përket partia, Rithemelimit apo grupit tjetër kundër Sali Berishës.

Kjo përplasje mes Partisë Demokratike zyrtare nisi për shkak të zgjedhjeve që pritet të mbahen më 29 korrik për kryetarin e ri. 7 deputetët Bledion Nallbati, Lefter Gështenja, Dashnor Sula, Xhelal Mziu, Helidon Bushati, Saimir Korreshi dhe Ramadan Likaj kërkuan anulimin e zgjedhjeve dhe kjo bëri që Bardhi të thërrasë Këshillin Kombëtar. Nga ana tjetër, Kryesia e partisë i hoqi vulën Bardhit dhe ia kaloi sekretarit Ligjor, Indrit Sefës.