Bota

Kim Jong-Un i premton Putinit mbështetje të plotë për “luftën e shenjtë” të Rusisë!

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un i tha presidentit rus, Vladimir Putin, se vendi i tij “e mbështet plotësisht dhe pa kushte luftën e shenjtë” të Rusisë, për mbrojtjen e interesave të sigurisë, referuar luftës në Ukrainë.

Peniani do të qëndrojë gjithmonë pranë Moskës në fronin anti-imperialist. Marrëdhëniet mes Koresë së Veriut dhe Rusisë janë prioritet i parë.

Dy liderët u takuan në Siberi, për të biseduar mbi interesat e përbashkëta përballë konfrontimeve të rritura me Shtetet e Bashkuara. Në mesin e çështjeve të diskutuara, Putin përmendi bashkëpunimin ekonomik, çështjet humanitare dhe “situatën në rajon”.

Takimi mes dy liderëve nisi në kozmodromin Vostochny, me një shëtitje rreth objektit raketahedhës të hapësirës, Soyuz-2, ku Kim i bëri shumë pyetje rreth raketave një zyrtari rus të hapësirës.

Takimi ndodhi pak orë pasi Koreja e Veriut lëshoi dy raketa balistike drejt detit, duke vazhduar provokimet. Vendimi për t’u takuar në kozmodrom, objektin më të rëndësishëm të Rusisë për lëshimin e satelitëve, lë të kuptohet se Kim është duke kërkuar nga Rusia ndihmë teknike për të zhvilluar satelitë ushtarakë të zbulimit. Ato i ka përshkruar si vendimtarë në rritjen e kërcënimit me raketa bërthamore. Muajt e fundit, Koreja e Veriut ka dështuar që të dërgojë në orbitë satelitin e parë spiun.

Për Putinin, takimi ishte një mundësi për të rimbushur depot e municionit që i ka shteruar lufta 18-mujore. Koreja e Veriut mund të ketë miliona raketa dhe predha të vjetruara sovjetike, të cilat mund ta forcojnë dukshëm ushtrinë ruse në Ukrainë.

Kim tha se vendimi i tij për të vizituar Rusinë katër vjet pas vizitës së fundit, tregoi se Peniani po e bën “prioritet rëndësinë strategjike” të marrëdhënieve me Moskën. Ndërkaq, pritet të kërkojë ndihmë ekonomike e të teknologjisë ushtarake.

Marrëveshja për armët do të ishte në kundërshtim me sanksionet ndërkombëtare që Rusia i ka përkrahur në të kaluarën. Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar Korenë e Veriut se po i jep armë Rusisë, përfshirë shitjen e predhave të artilerisë grupit mercenar rus, Wagner. Zyrtarët rusë dhe koreano-veriorë i kanë mohuar këto akuza.

Thashethemet për bashkëpunim ushtarak u rritën pasi Sergei Shoigu, ministri rus i Mbrojtjes vizitoi Korenë e Veriut në korrik.