Bota

Klima, 2022-shi viti më i thatë në historinë e Europës!

2022-shi ishte viti më i thatë në Europë që nga koha kur filluan studimet shkencore për klimën, pra nga gjysma e dytë e viteve 1800. Vitin e kaluar u konstatua zgjerimi i zonave të prekura nga thatësira, si dhe u evidentua ulja e ndjeshme e prurjes së lumenjve. Ky konstatim zbulohet në raportin vjetor të “Copernicus”-it, shërbimit të Bashkimit Europian për Vëzhgimin e Tokës, me titull: “Gjendja europiane e klimës 2022”. Për më tepër, midis viteve 2018 e 2022, temperaturat mesatare në Europë ishin 2.2 gradë Celcius më të larta se nivelet para-industriale të periudhës 1850-1900.

Më pak ujë në lumenj

Raporti i Bashkimit Europian tregon se në vitin 2022, 63% e lumenjve të Europës ishin nën mesataren për vitet 1991-2020 dhe viti i kaluar ishte i gjashti radhazi me prurje nën mesataren e kontinentit.

Reshjet e borës po nën mesatare

Në periudhën e dimrit 2021-2022, kishte më pak ditë me dëborë se mesatarja në pjesën më të madhe të Europës. Pati reshje bore që zgjatën më pak se 30 ditë në shumë rajone. Në pranverë, reshjet ishin nën mesatare në shumë zona dhe kishim muajin maj më të thatë në histori.

Humbje rekord e akullit në Alpe

Mungesa e borës së dimrit dhe vera e nxehtë kanë shkaktuar një humbje rekord të akullit nga akullnajat e Alpeve: mbi 5 kilometra katrorë. Mungesa e reshjeve vazhdoi edhe gjatë stinës së verës, me valë të jashtëzakonshme të të nxehtit, të cilat shkaktuan thatësirë ​​të madhe e të zgjatur. Sipas “Copernicus”-it, Europa Jugore kishte numrin më të madh të ditëve me “ngarkesë shumë të konsiderueshme të nxehtësisë” në nivele rekord e tendenca në të gjithë Europën është në rritje.