Aktualitet

KLSH e fakton, universitetet dështuan me mësimin në pandemi!

Universitetet jo vetëm dështuan me mësimdhënien online gjatë pandemisë koronavirus, por gjithashtu ishin në shkelje të ligjit të arsimit të lartë, i cili nuk e njeh këtë formë studimi në distancë. Gjetjet theksohen në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, gjatë auditimit në pesë institucione arsimore: Universitetin Politeknik të Tiranës, Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, Universitetin  “Ismail Qemali”  të Vlorës, Universitetin “Eqerem Çabej” të Gjirokastrës dhe  Universitetin “ Fan S. Noli” të Korçës. Dokumenti përfshin periudhën nga marsi i vitit 2019 deri në dhjetor 2021.

Në përshtatjen e universiteteve me proceset mësimore online, ndër problemet më të shumta janë integrimi jo i plotë i studentëve në orën e mësimit, mungesa e pajisjeve si kompjutera, telefona dhe linjës së internetit; Trajnimi i stafit në moshë në lidhje me përdorimin e TIK në mësimdhënie; Krijimi i një formati unik të regjistrimit elektronik të frekuentimit dhe vlerësimit të vazhduar të studentëve, i aksesueshëm nga stafi akademik e stafi vendimmarrës; Ndërtimi i laboratorëve virtual.

Më tej, KLSH thekson se “procesi mësimor online shfaqi mangësi në drejtim të pamundësisë për t’u monitoruar”.

Matja e cilësisë së mësimit në distancë u bazua tek vetëdeklarimi i secilit pedagog pas zhvillimit të procesit mësimor. Universitetet nuk kishin platforma elektronike të unifikuara, por aplikuan disa të tilla si Google Classroom, Teams e Zoom e që nisur edhe nga përgjigjet e pyetësorëve, paraqitën vazhdimisht problematika teknike.  Mospërdorimi i mëparshëm i kësaj forme studimi në distancë, e ka vendosur arsimin tonë të lartë jo në linjë me standartet mësimore ndërkombëtare të e-learning.

Nga auditimi del në pah se universitetet dogjën deri në 30% të buxheteve të tyre duke mos i përdorur fondet kundrejt nevojave që diktoi pandemia për mësimin online. Shkeljen më të madhe rezulton se e bëri Universiteti i Elbasanit, me 29% të mosrealizimit të fondeve dhe më pas renditet ai Politeknik i Tiranës, me 21%.

Edhe buxhetet janë keqmenaxhuar me kryerjen e pagesave të panevojshme në një periudhë izolimi, kur mund të përdoreshin në mbështetje të studentëve e pedagogëve. Ndër të tjera, Kontrolli i Lartë i Shtetit shfaq kritika edhe për koordinimin jo të mirë ndërinstitucional ndërmjet ministrive të Arsimit e të Shëndetësisë me universitetet./Top Channel