Aktualitet Politikë

Raporti i “Freedom House”, ja çfarë thotë për përplasjet në Kuvendin e Shqipërisë!

Raporti vjetor i organizatës “Freedom House” me seli në Uashington e që trajton parametrat kryesorë demokratike të shteteve në tranzicion, bën përgjegjëse të dy anët e spektrit politik në Shqipëri që kanë çuar në dobësimin e pozitës së parlamentit për të mbikëqyrur punën e qeverisë. Në raportin e publikuar sot, me titull: “Vendet në Tranzicion 2024: Një rajon përballë forcave të autokracisë dhe demokracisë”, thuhet:

Përçarja e Partisë Demokratike pati efekt zinxhir tek roli që opozita luan për ta mbajtur përgjegjëse qeverinë dhe për të kontribuar në funksionimin bazë të parlamentit, duke çuar drejt përplasjeve të dhunshme në parlament në dy muajt e fundit të vitit të kaluar e që minuan rolin e rëndësishëm që legjislatura luan në demokracinë parlamentare.

Po ashtu, raporti thekson:

Qeveria i shfrytëzoi përplasjet e dhunshme për të penguar edhe më tej autoritetin e parlamentit që të kërkojë llogaridhënie nga qeveria duke miratuar një numër ligjesh të reja në dhjetor të vitit 2023 për dënime të ashpra ndaj anëtarëve të parlamentit që veprojnë në kundërshtim me rregullat, duke ia vështirësuar opozitës që të kërkojë hetime parlamentare për vendimet e qeverisë.

Ndër të tjera, në raport thuhet:

Kryeministri Rama dhe Partia Socialiste shfrytëzuan përçarjet gjithnjë e më të dhunshme të opozitës për të konsoliduar pushtetin dhe dominuar zgjedhjet e mbajtura më 14 maj.

Vëzhguesit e zgjedhjeve dokumentuan shpërdorimin e burimeve shtetërore nga Partia Socialiste për të rritur avantazhin politik në një mori komunash para zgjedhjeve, një strategji veçanërisht e dobishme në nivelin komunal ku shumë prej qeverive lokale nuk kanë financim të mjaftueshëm dhe varen nga qeveria qendrore.

Po ashtu, në kapitullin për Shqipërinë vihet në dukje se shoqërisë civile i është ngushtuar hapësira e veprimit duke theksuar se gjatë vitit 2023, “qeveria ka propozuar dhe parlamenti ka miratuar ligje pa angazhimin e duhur të organizatave joqeveritare dhe grupeve të interesit”, që është detyrim ligjor për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Organizata “Freedom House” thekson:

Qeveria dhe parlamenti kanë dështuar që të angazhohen në një dialog konstruktiv me sektorin e shoqërisë civile, duke dëshmuar që kushtet për angazhimin e OJQ-ve dhe fuqizimi i tyre përmes konsultimit për hartimin e politikave mbeten një premtim bosh.