Aktualitet

Kokainë në plazh/ Shisnin drogë në bashkëpunim, pranga tre të rinjve në Durrës!

Dy kushërinj dhe shoku i tyre kanë rënë në prangat e policisë së Durrësit, pasi shisnin drogë.

Policia ka sekuestruar një sasi lënde narkotike kokainë e ndarë në dhjetëra doza, një peshore elektronike dhe 3 celularë.

Në kuadër të shtimit të kontrolleve dhe aksioneve të policisë në zonën bregdetare të qarkut, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor antidrogë i koduar “Periudha”.

Në bazë të provave të siguruara ranë në pranga Renato Leci, 21 vjeç dhe Elvis Leci, 19 vjeç, të dy banues në Arapaj, Durrës, si dhe shtetasin Endri Mëzhika, 22 vjeç, banues në Xhafzotaj, Durrës.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta vepronin në formën e një grupi, me qëllim sigurimin dhe shitjen në doza, të lëndës narkotike kokainë, në zonën e plazhit të Durrësit.

Hetimet e mëtejshme do të kryhen nga prokuroria e Durrësit.