Aktualitet

Komedia italiane humb mbretëreshën, lamtumirë Monica Vitti!

Aktorja e famshme italiane, Monica Vitti ndërroi jetë sot në moshën 90-vjeçe. Lajmin e dha partneri i saj, Roberto Russo.

E lindur në Romë me emrin Maria Luisa Ceciarelli, më 3 nëntor 1931, gjerësisht njihet si figurë ikonike e kinemasë italiane, ndonëse mungonte prej 20 vitesh. Në vitin 2001 u shfaq për herë të fundit zyrtarisht, në Quirinale për çmimet David di Donatello që jepen nga Akademia Italiane e Kinematografisë. Muza e Michelangelo Antonioni-t dhe mbretëreshe e komedisë në krah të Alberto Sordi-t, Vitti vuante nga një sëmundje e ngjashme me Alzheimer-in që e çoi në izolim të detyruar, e mbrojtur nga Russo.

Monica ishte mishërim i periudhës së artë të kinemasë italiane, një artiste e vërtetë: joshëse e zë i spikatur, karizëm e papërsëritshme. Për shkak të profesionit të babait i cili ishte inspektor tregtie, para Luftës së Dytë Botërore u rrit në Siçili dhe jepte spektakël në shtëpi për vëllezërit e saj. Ishte e dashuruar që në moshë të vogël me aktrimin e zgjodhi të ndiqte studimet pranë Akademisë së Artit Dramatik.

Monica Vitti dominoi kinemanë e Italisë në vitet ’70 duke i lejuar vetes role cilësorë falë punës me regjisorë të mëdhenj, por ra në sy në mes të viteve ‘50, me tituj shpërthyes filmash si “La notte”, “L’eclisse” e “Deserto rosso”. Në vitin 1995 u nderua me Luanin e Artë të Karrierës, në Festivalin e Filmit në Venecia. Ky ishte mes vlerësimeve të mëdha ndërkombëtare, bashkë me 5 çmime David, 12 Golden Globes e tre Nastri d’Argento, këto të fundit të fituar në atdhe.

Vitti bëri për vete edhe televizionin italian.