Aktualitet

Komisioneri Publik ankimoi vendimin e KPK për Alfred Ballën, reagon kreu i KLP!

Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë Alfred Balla, ka reaguar në lidhje me ankimimin e Komisionerit Publik ndaj vendimit të KPK-së për ndërprerjen e procesit të Vetting-ut pa vendim përfundimtar.

Balla është shprehur se ajo ka qenë një procedurë e mbetur ‘pendining’ dhe duhej pushuar që para 5 vitesh.

Ai shprehet se vendimarrja e KPK-së edhe pse e vonuar është e drejtë dhe se ndihet i habitur nga ankimi i ushtruar nga Komisioneri, duke e krahasuar me rastet analoge të M.Xhaferllari, D.Gjunkshi, të cilat sipas tij nuk lënë vend për të ushtruar ankim.

“Ju sqaroj shkurt në lidhje me ankimin që ka ushtruar Komisioneri Publik F.Ballhysa ndaj vendimit të KPK-së dhënë para disa ditësh për mua. Ajo ka qenë një procedurë e mbetur “pending” në zyrat e vetingut dhe duhej pushuar që para 5 vitesh kur ju drejtova me shkresë KPK-së. Unë jam shkëputur përpara 6 vitesh nga Gjykata e Lartë që kur isha Këshilltar Ligjor dhe u lirova nga detyra pasi përfundoj mandati i gjyqtarit me të cilin punoja. Pra s’duhet formim juridik të kuptosh që me largimin tim ligjor dhe jo dorëheqje nga Gjykata e Lartë, procedura e vetingut si këshilltar, duhej të pushohej pa një vendim përfundimtar pasi ska më objekt shqyrtimi dhe unë nuk gëzoj statusin e këshilltarit. Kur kam filluar në KLP si i zgjedhur nga Kuvendi, si përfaqësues i shoqërisë civile, kisha 15 muaj që isha shkëputur nga puna. Vendimarrja e KPK-së edhe pse e vonuar është e drejtë. Ankimi i ushtruar nga Komisioneri më habiti pasi praktikat e tij me mosankim në raste analoge si psh M.Xhaferllari, D.Gjunkshi, etj., nuk lënë vend për të ushtruar ankim.”– shkruan Balla.