Aktualitet

Prokurorët në vështirësi; u mbyllën 9 prokurori, shtohet puna për prokurorët në detyrë

Pas shkrirjes së gjykatave të Apelit në një të vetme në Tiranë, operacioni drastik në drejtësi do të vijojë sërish në 1 maj, kur hyn në fuqi shkrirja e 9 gjykatave të tjera të shkallës së parë, që do të thotë se së bashkë me to u mbyllen dyert edhe 9 prokurorive.

Mes një drejtësie të mbuluar nga stoku i dosjeve në gjykata, në vështirësi gjenden edhe prokurorët. Kreu i qeverisë së prokurorisë Alfred Balla e përshkruan gjendjen të vështirë jo vetëm për prokurorët, por edhe për qytetarët që presin zgjidhje hetimore sidomos për konfliktet e pronësisë.

Alfred Balla kreu i KLP: Një prokuror ka nën hetim 600 dosje. Llogarisni se çfarë ndodh me hetimin, hetime më pak cilësore që zvarriten.

Por prokurorisë i mungojnë 127 prokurorë, mbasi në detyrë kanë mbetur vetëm 214 në të gjithë sistemin, disa prej të cilëve presin ende Vettingun. I paplotësuar ende vijon edhe SPAK, për të cilin ka pretendentë, megjithatë gara nuk është hapur ende. Balla insiston se kjo strategji po ndiqet për të mos krijuar akoma më tepër mungesa në prokurori.

Alfred Balla, kreu i KLP: SPAK duhet të nisë hetime kryesisht qoftë dhe nga media, jo vetëm nga denoncimet.

Të enjten përpara anëtarëve të KLP-së, prokurori i përgjithshëm Olsian Çela do të raportojë për kriminalitetin në vend, se çfarë është hetuar dhe çfarë jo.

Sidoqoftë dihet që drejtësia nuk ka hetuar akoma siç duhet pastrimin e parave në vend, vrasjet e ngjarjet më të bujshme që mbeten pa autorë. Por e sigurt është që nesër kryeprokurori do flasë edhe për problemet që janë të lidhura direkt me performancën e akuzës, si vakancat e shkaktuara nga Vettingu.