Bota

Komisioni Europian tërhiqet nga pezullimi i ndihmës për palestinezët!

Brukseli zyrtar bën prapakthehu, nuk pezullon ndihmën humanitare për palestinezët. Një natë më parë, Komisioni Europian tha se do ta vazhdojnë, duke hedhur poshtë një deklaratë paraprake të Oliver Varhelyit. Eurokomisioneri për Zgjerimin deklaroi se do të pezullohen menjëherë ndihmat, por më pas kjo u hodh poshtë. Komisioni Europian e kundërshtoi zyrtarin e tij dhe ende nuk dihet arsyeja e qëndrimit kaotik.

Spanja kundërshtoi propozimin për pezullimin e ndihmave të Bashkimit Europian për territoret palestineze. Sipas Madridit zyrtar, “Grupin Hamas nuk duhet ta përziejnë me popullin palestinez”. Spanja vlerëson se me gjasë, territoret palestineze do të kenë nevojë për më shumë ndihma në të ardhmen e afërt, pas sulmit të Hamasit kundër Izraelit të shtunën dhe bombardimeve hakmarrëse izraelite që po pasojnë në Rripin e Gazës.

Ministrat e Punëve të Jashtme të Bashkimit Europian takohen sot për të biseduar lidhur me zhvillimet në Izrael. Një ditë më parë, izraelitët njoftuan rrethimin e plotë të Rripit të Gazës, duke mos lejuar futjen e ushqimit dhe ujit, si dhe duke  ndërprerë furnizimin me energji elektrike. Kjo ka nxitur frikë se gjendja tashmë e rëndë humanitare në Gaza do të përkeqësohet shumë shpejt.

Numri i viktimave izraelite në sulmin e Hamasit që vijon prej katër ditësh është rritur në mbi 900. Ndërkaq, media izraelite njoftoi se “trupat e 1500 terroristëve palestinezë u gjetën në kufirin e Gazës”. Në frontin verior, tensioni me Hezbollahun po rritet, ndërsa Amerika njoftoi se nuk do të dërgojë ushtarë.

Forcat e Mbrojtjes njoftuan se kanë siguruar kufirin me Gazën, nga ku mijëra luftëtarë të Hamasit hynë në Izrael të shtunën, duke nisur sulmin më të rëndë në dekadat e fundit. Inxhinierët po minojnë pjesët ku ishte prishur gardhi mbrojtës kufitar. Kombet e Bashkuara shprehin shqetësimin se rrethimi total i Gazës shkel të drejtën ndërkombëtare. Izraeli njofton për goditjen e 200 objektivave të Hamasit e Jihadit në Gaza.