Aktualitet

Kompensimi i pronave, Manja: Do t’i kthehen ish-pronarëve nëse janë të lira ose shpërblim financiar!

Pa asnjë kufizim, pronarëve legjitimë do t’iu kthehet prona e konfiskuar nëse është e lirë ose do të marrin kompensim financiar nga shteti në rastet kur iu është zënë me ndërtime informale ose që do të përdoret për shërbime publike. Në përfundim të mbledhjes së sotme të qeverisë, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja tha se kaluan dy vendime të rëndësishme, që sipas tij, përfundimisht i hapin rrugë zgjidhjes së procesit të kompensimit të pronave në Republikën e Shqipërisë.

Në rastin e kompensimit financiar, ai përmendi pagesën sipas metodologjisë së përcaktuar nga Gjykata e Strasburgut, si dhe Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.

Duke folur në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Ulsi Manja tha:

Kaluam dy vendime të rëndësishme në lidhje me kompensimin e pronave, të cilat i hapin rrugë përfundimisht zgjidhjes së procesit të kompensimit të pronave në Republikën e Shqipërisë.

Para pak kohësh, në Kuvend miratuam disa ndryshime që kishin të bënim me ligjin për trajtimin e pronës dhe që ishin reflektim i vendimit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

Tashmë, procesi i njohjes së të drejtës së pronës dhe shpërblimi financiar për ata që do të kompensohen nuk ka asnjë pengesë ligjore.

Çdo ish-pronar që ka kërkesë në Agjencinë e Pronave duhet të bëjë një kërkesë për njohjen e pronës dhe kur prona është e lirë, i kthehet fizikisht siç e ka patur kur i është konfiskuar nga shteti. Pra, prona e lirë e ish-pronarëve kthehet pa asnjë kufizim.

Ndërsa atyre ish-pronarëve që i është zënë prona me ndërtime informale ose që do përdoret për shërbime publike do të kenë një shpërblim financiar sipas asaj metodologjie që është certifikuar edhe në Gjykatën e Strasburgut, por edhe nga Gjykata jonë Kushtetuese.