Aktualitet

Konferenca antikorrupsion, Tabaku: Spektakël i Edi Ramës, Shqipëria asnjë përparim në këtë fushë!

Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka ironizuar Konferencën e Parë Antikorrupsion, që po mban qeveria këtë të hënë.

Kryeministri Edi Rama tha në fjalën e tij se korrupsioni është në një nivel shumë më të vogël  në krahasim me vitet e mëparshme ku mijëra persona në muaj qëndronin në radhë për të bërë pagesa të shërbimeve të përditshme. Sipas kryeministrit, tashmë çdo person është i barabartë para ligjit dhe se asnjë person nuk është i paprekshëm.

Por, menjëherë më pas ka ardhur reagimi i deputetes. Ajo e quan këtë aktivitet si një sajesë të kryeministrit Rama për të na bërë të besojmë se niveli i korrupsionit në vend është ulur.

“Mbreti i sajesave, Edi Rama, sot ka organizuar një tjetër lloj spektakli për t’i treguar shqiptarëve se ne nuk jemi vendi më i korruptuar në Europë. I njëjti njeri që e quajti raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit si të ‘pavlerë’ dhe që ishte ‘copy-paste’ u foli sot qytetarëve për betejën e tij kundër korrupsionit”.

Tabaku kujton arrestimet nën akuzat për korrupsion të ish-ministrit Lefter Koka, ish-deputetit Alqi Bllako dhe zyrtarëve apo ish-zyrtarëve të lartë në vend.

“Ironike po të mendosh që sot një ish-ministër, një deputet dhe drejtorë të lartë janë të arrestuar as më shumë e as pak por për korrupsion të nivelit të lartë.

Akoma më ironike po të mendosh se lista e atyre që duhet të përfshihen në grupin e strukturuar kriminal duhet të zgjerohet edhe më shumë me ministra dhe kryetarë bashkie”.

Kryeministri foli për ulje të korrupsionit pasi tani qytetarët marrin shërbime ‘online’ dhe sportelet ku bëhej korrupsion janë mbyllur. Por, Tabaku në reagimin e saj në rrjetin social “Facebook”, këmbëngul se korrupsioni më i madh bëhet nga qeveria.

“Por, kryeministri mendon ta fshehë kokën pas spektaklit dhe sajesave dhe riprodhon arritje imagjinare a thua se problemi jonë është korrupsioni në sportele.

A mos vallë 430 mln euro për 3 inceneratorët që ende sot paguhen është korrupsion i sporteleve?

A mos vallë thuajse 8 mld euro dëm ekonomik në buxhetin e shtetit janë pasojë e korrupsionit në sportele?

1 në 3 tendera jepen pa garë ndërsa pjesa tjetër e tenderave jepet me një paracaktim aq të qartë saqë është bërë normë korrupsioni në tenderat publikë.

Parlamenti është kthyer në një noter të ligjeve me porosi dhe kalohet çdo nismë ligjore që i ofron parà qyl nga taksat e shqiptarëve oligarkëve të përhershëm.

Vetëm mbreti i sajesave mund të mendojë kështu!”