Bota

Koreja e Veriut kërcënon Uashingtonin pas deklaratave të Biden, paralajmëron testime të tjera ushtarake !

Koreja e Veriut ka paralajmëruar për testime të tjera ushtarake në shenjë hakmarrje ndaj komenteve të Presidentit Biden se një sulm ndaj SHBA-së ose aleatëve të saj do të çonte në “fundin e regjimit” në vendin aziatik.

Duke reaguar ndaj lajmeve se SHBA dhe Koreja e Jugut kanë krijuar një pakt për të kundërshtuar kërcënimin nga Pheniani, Kim Yo Jong – motra e liderit Kim Jong Un, tha se marrëveshja pasqyronte një “vullnet armiqësor dhe agresiv veprimi” kundër vendit të saj.

Sipas saj pakti do ta vendosë paqen në rajon në “rrezik më serioz”,.

Zoti Biden takoi homologun e tij koreano-jugor, Yoon Suk Yeol, në Uashington këtë javë, nga ku deklaroi se një sulm bërthamor do të “rezultojë në fundin e çfarëdo regjimi”.

“Marrëveshja për mbrojtjen e ndërsjelltë është e çeliktë, dhe përfshin angazhimin” për masa të zgjeruara parandaluese, tha Presidenti Biden gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, duke iu referuar një marrëveshjeje të vitit 1953 të nënshkruar në fund të Luftës Koreane, nëpërmjet së cilës Uashingtoni angazhohet ta ndihmojë Korenë e Jugut të vetëmbrohet, në veçanti nga Koreja e Veriut.

Ai përsëriti një frazë nga dokumenti i administratës së tij të vitit 2022 për Rishikimin e Gatishmërisë Bërthamore, se një sulm bërthamor ndaj Shteteve të Bashkuara apo aleatëve dhe partnerëve është i papranueshëm dhe do të rezultojë në fundin e regjimit që e bën këtë sulm.

Presidenti Yoon e quajti Deklaratën e Uashingtonit “një zgjerim dhe forcim të paprecedentë” të strategjisë së masave të zgjeruara parandaluese – një term i njohur gjithashtu si ombrella bërthamore amerikane. Dokumenti thotë se Shtetet e Bashkuara do t’i përgjigjen sulmeve ndaj aleatëve dhe partnerëve “në mbarë spektrin e skenarëve të mundshëm bërthamorë dhe jo-bërthamorë”.