Bota

Korridoret humanitare në Ukrainë nuk funksionojnë/Kievi refuzon ato drejt Rusisë e Bjellorusisë!

Moska pranon se deri tani nuk ka funksionuar asnjë prej korridoreve humanitare në Ukrainë, të hapur për t’i dhënë mundësi civilëve të largohen nga zonat e luftës. Për bllokimin e tyre akuzon, ata që i quan “nacionalistë ukrainas”. Çështja do të diskutohet më gjerësisht në takimin e këtyre çasteve mes palëve, në Bjellorusi. Raundi i tretë pason dy të parët në datat 28 shkurt dhe 3 mars, por që nuk kanë dhënë rezultate konkrete.

Këto korridore humanitare të shpallura nga rusët çojnë drejt Rusisë e Bjellorusisë, kjo e fundit aleate e Moskës. Ai i Kievit shkon në drejtim të Bjellorusisë ndërsa i Kharkivit e Mariupolit, për në Rusi. Nga Sumy ka dy korridore: një për në të tjera qytete të Ukrainës dhe i dyti drejt Rusisë. Qeveria ukrainase refuzon korridoret humanitare për në Rusi e Bjellorusi.

Rrjeti amerikan CNN raporton se tanket ruse po pozicionohen në një zonë shumë të populluar në perëndim të kryeqytetit ukrainas, Kiev. Ushtarët e Moskës hapën zjarr edhe sot duke vrarë disa civilë. Kryeministri britanik, Boris Johnson akuzon presidentin rus, Vladimir Putin se po dyfishon nivelin e dhunës në pushtimin e Ukrainës. Johnson shprehu shqetësimin se “shefi i Kremlinit zgjodhi rrugën e sulmeve pa dallim kundër objektivave civile”.

Rusët vranë kryebashkiakun e Gostomelit, qytezë pranë Kievit ku ndodhet edhe aeroporti strategjik Antonov, që prej ditësh është kthyer në arenë përleshjesh të përgjakshme. Në një postim në rrjetet sociale, institucioni që drejtonte shkruan:

Kryetari i Bashkisë Gostomel, Yuri Illich Prylypko, humbi jetën ndërsa shpërndante bukë për të uriturit e ilaçe për të sëmurët. Prylypko dhe dy persona të tjerë gjetën vdekjen. Askush nuk e detyroi të përballej me plumbat e pushtuesve, vdiq për popullin e tij, për Gostomelin. Vdiq një hero!

Rusia nuk u paraqit në seancën e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës pas padisë që iu bë për luftën në Ukrainë.