Bota

Kosovë, BE përshëndet vendimin e KQZ-së: Hap drejt uljes së tensioneve!!

Bashkimi Europian e përshëndet vendimin e KQZ në Kosovë mbi zhvillimin e votimit për largimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që në datën 21 prill të mbahen votimet për largimin nga detyra të kryetarëve shqiptarë në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës. Votimi do të zhvillohet në Mitrovicë të Veriut, Zveҫan, Zubin Potok dhe Leposavic, pas peticionit që Komisioni e cilësoi të sukseshëm, ku 20 % e votuesve me të drejtë vote në secilën komunë, e nënshkruan dokumentin tashmë të verifikuar.

Sipas udhëzimit administrativ të miratuar vitin e shkuar nga qeveria, që mundëson largimin e kryetarëve të komunave, votimi cilësohet i suksesshëm, atëherë ku arrihet kuota 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote. Pas këtij rezultati, atëherë, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës. Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Tomas Szunyog e vlerësoi këtë hap të KQZ-së e tha se  “tashmë është thelbësore që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të bëjë përgatitjet e nevojshme për të siguruar një proces të qetë dhe për të krijuar kushte për votim të lirë dhe të ndershëm”.

Në të njëjtën linjë me të u shpreh edhe Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë si edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon. Zgjedhjet e parakohshme lokale te mbajtura prillin e vitit të kaluar në katër komunat veriore, u bojkotuan masivisht nga serbët atje, të cilët nuk i pranuan asnjëherë katër kryetarët shqiptarë, të zgjedhur me një përqindje të vogël rreth 3%.