Rajoni

Kosovë, përcaktohen çmimet maksimale për karburantet!

Në Kosovë, Ministria e Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë doli sot me caktimin e çmimeve tavan për tregtimin e naftës, benzinës e gazit në tregun vendas. Për një periudhë 24-orëshe, nga sot e deri në orën 10:00 të ditës së nesërme, litri i naftës do të jetë 1.85 euro, për benzinën 1.74 dhe i gazit, 0.78 centë.

Më 22 qershor, qeveria Kurti miratoi një udhëzim administrativ për rregullimin e çmimeve të karburanteve, ndërsa ka patur raste kur një litër naftë në Kosovë arriti vlerën 1.91 euro. Lidhur me udhëzimin, Prishtina zyrtare tha se nga verifikimet në dogana e tatime, rezultoi se në Kosovë ka patur mospërputhje me lëvizjet në tregje botërore.

Po në Kosovë, partia Lidhja Demokratike në opozitë dhe tregtarët e hidrokarbureve, prej javësh tashmë kërkojnë të ulet akciza për naftën, si dhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Këtë e konsiderojnë si mënyrë që të mundësohet ulja e çmimeve. Por, qeveria nuk e pranon kërkesën. Ministri i Financave, Hekuran Murati, deklaroi se “kështu rriten më shumë fitimet e biznesit” dhe shprehu qëndrimin se heqja e akcizës, nuk do të nënkuptonte edhe uljen e çmimeve.

Rreth tre javë më parë, tregtarët iu drejtuan me një shkresë kabinetit qeveritar të kryeministrit Albin Kurti, duke kërkuar të ruhet ekonomia e tregut të lirë e që të paktën, çmimi maksimal të jetë 3% për shitje me shumicë dhe 12 për qind për atë me pakicë. Për shkak të rritjes së çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare, nga çdo litër naftë dhe benzinë të shitur, qeveria e Kosovës ka mbledhur rreth 64 centë apo 12 më shumë nga sa grumbullonte para krizës globale.

Biznesi kosovar paralajmëroi se po rrezikonte të falimentonte nëse sërish aplikohet një tarifë e ngjashme për fitim, siç pati vendosur për periudhën 3 mars-31 maj. Më 1 mars, Prishtina zyrtare pati dalë me vendimin që të fiksonte çmimet maksimale të shitjes apo përqindjet tregtare me shumicë dhe pakicë, duke i luhatur mes 4 e 6 për qind. Me nisjen e pushtimit rus në Ukrainë, në datën 24 shkurt, çmimet dhe kërkesa për naftë janë rritur ndjeshëm në tregjet ndërkombëtare.