Aktualitet Rajoni

Kosovë, rriten rastet e keqpërdorimit të fëmijëve në pornografi!

Gjatë vitit 2023, fëmijët në Kosovë ishin dukshëm më shpesh të keqpërdorur në pornografi – herë si audiencë e herë si subjekt i këtyre materialeve – në krahasim me vitet e kaluara, sipas statistikave të Policisë së Kosovës.

Numri i rasteve të tilla ka qenë në rritje gjatë viteve të fundit, mirëpo viti 2023 solli rritjen më të madhe deri tani.

Në termin “pornografi me fëmijë” përfshihet çdo fotografi e video – qoftë reale, qoftë e krijuar në mënyrë elektronike – që shfaq pjesën e organeve gjenitale apo sjellje seksualisht eksplicite të ndonjë fëmije.

Keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi nënkupton jo vetëm prodhimin e materialit të tillë, por edhe shitjen, shpërndarjen, shfaqjen apo promovimin e pornografisë te fëmijët.

Sipas prokurorit Shpëtim Peci – i cili në të kaluarën ka punuar në Departamentin për të Mitur në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, ndërsa tani është i angazhuar në Prokurorinë Speciale – numri më i madh i këtyre rasteve kanë të bëjnë me shfaqjen e pornografisë para fëmijëve.

“Kryesisht nuk kemi pasur raste praktike ku fëmijët kanë qenë pjesë e videos, më shumë kemi pasur raste kur fëmijëve u janë shfaqur materialet pornografike, apo të njëjtit janë përdorur me qëllim të stimulimit seksual”, thotë Peci për Radion Evropa e Lirë.

Çfarë thotë Kodi Penal i Kosovës?

Dy nene, “Ofrimi i materialit pornografik personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçe” dhe “Keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi”, në Kodin Penal të Kosovës trajtojnë rastet kur fëmijët janë të përfshirë në ndonjë mënyrë në materiale pornografike.

Ofrimi i materialit pornografik nënkupton rastet kur materialet nuk shfaqen vizualisht, por vetëm u krijohet qasje fëmijëve në mënyra të ndryshme. Ndërsa, në rastin e “keqpërdorimit të fëmijëve në pornografi” bëhet fjalë për shfaqje të pamjeve para fëmijëve, apo përfshirje të fëmijëve në prodhimin e këtyre pamjeve.

Këto dallime bëjnë që të ketë ndryshim edhe në masën e ndëshkimit. Për ofrim të materialit pornografik për të mitur, dënimi maksimal është tri vjet. Ndërsa, për shpëndarjen dhe shfaqjen e pamjeve pornografike te fëmijët, dënimi nis nga tri deri në dhjetë vjet. Ndërkohë, prodhimi i materialit pornografik ku fëmijët janë të përfshirë, dënohet me deri 15 vjet burgim.

Sa raste po trajtohen aktualisht nga organet e drejtësisë?

Sipas të dhënave të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), gjatë periudhës janar-nëntor të vitit 2023, nëpër prokurori të Kosovës janë dorëzuar shtatë raste që mund të kenë elemente të veprës penale “keqpërdorim i fëmijëve në pornografi”. KPK-ja tha se aktualisht është duke u punuar në gjithsej 11 raste, me 12 persona të dyshuar.

REL-i nuk arriti të sigurojë të dhëna për numrin e rasteve në trajtim e sipër në gjykata, por Adnan Isufi, gjykatës në Departamentin për të Mitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, thotë se “ka rritje enorme krahasuar me vitet e tjera”. Sipas tij, rritja është rreth 30 për qind.