Aktualitet

KQZ zyrtarizon rezultatet e 6 Marsit/Në PD, Bardhi mbron Bashën/Duma refuzon Berishën!

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi rezultatet zyrtare të zgjedhjeve të pjesshme vendore të 6 Marsit në bashkitë Durrës, Shkodër, Dibër, Vorë, Rrogozhinë e Lushnjë.

Të zgjedhurit e Partisë Socialiste kanë grumbulluar në total 106.703 vota, të ndjekur nga të Shtëpisë së Lirisë me 60.223 dhe ata të Partisë Demokratike me 26.662 vota. Kandidatët e Partisë Demokratike dhe Shtëpisë së Lirisë, në total kanë marrë rreth 87 mijë vota, afro 19 mijë më pak se të Partisë Socialiste. Në zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit, 5 bashki u fituan nga Partia Socialiste dhe një bashki, ajo e Shkodrës, nga kandidati i Shtëpisë së Lirisë. Në këto zgjedhje vota të pavlefshme u regjistruan 4855.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi deklaroi se “duke ikur, nuk i ikën përgjegjësive”. I pyetur nëse do të japë dorëheqjen pas humbjes së 6 Marsit, Bardhi theksoi:

Nuk mendoj dhe nuk besoj që secili prej nesh nuk ka përgjegjësi në situatën ku ndodhet PD. Mirëpo askush nuk mund të mendojë se duke ikur i ikën përgjegjësive. Prandaj procesi i analizës duhet të jetë i plotë, i mirëmenduar brenda institucioneve të PD-së.

Duke dalë në mbrojtje të Bashës, zyrtari i lartë i Selisë Blu deklaroi:

Interesi personal ka zero rëndësi para mijëra demokratëve që mbështesin Partinë Demokratike. Ka patur kolegë që kanë kërkuar dorëheqjen e kryetarit të PD-së dhe me përgjegjësinë time politike, them se ne nuk duhet të dalim në konkluzion pa një analizë të thellë të problemeve. Duke qenë se PD është në një moment të vështirë, përgjegjësi kemi të gjithë!

Kujtojmë se Grida Duma është mes atyre që kërkojnë dorëheqjen e Bashës, duke deklaruar sot se “nuk ka mbështetjen e gjysmës së deputetëve demokratë”.

Shumica e grupit ka kërkuar që partia të shkojë drejt zgjedhjeve dhe e mban kryetarin edhe pse s’ka shumicën e PD-së. Nuk më shkon ndërmend të kandidoj tani, dua që të kthehet debati real e të dëgjojnë që ka një shpresë. Tani, situata ka shkuar në maksimum dhe PD-ja nuk mund të mbahet kur nuk ka mbështetjen e shumicës. Duhet ta çojmë PD-në drejt suksesit, perëndimit, partnerëve strategjikë.

Gjithashtu, Grida Duma refuzoi ftesën e Berishës për t’iu bashkuar Komisionit të Rithemelimit.