Sport

Kreu i UEFA-s, Ceferin ka një pritshmëri për Itali-Angli!

Ka nisur numërimi mbrapsht për finalen e Euro 2020-ës që starton në 21:00 në Stadiumin “Wembley” të Londrës e ku mes 67 mijë spektatorëve nuk do të mungojnë të ftuarit VIP.

Për Italinë dhe Anglinë po afrohet momenti i së vërtetës në supersfidën e pritur me padurim që do të ballafaqojë djemtë e Mancini-t me të Southgate-it.

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, i cili do të jetë sonte në Wembley tha se po i bashkohet tifozëve në të gjithë botën duke shpresuar të jetë i pranishëm në një ndeshje që do të hyjë në historinë e futbollit.

Euro 2020 na magjepsi për 4 javë, me lojtarët më të mirë europianë që u sfiduan në një arenë ndërkombëtare të privilegjuar. Kemi shumë momente për të kujtuar, festuam denjësisht 60 vitet e kompeticionit futbollistik për kombëtaret më prestigjioze të Europës.

Europiani tregoi rëndësinë e futbollit që di të bashkojë e të bëjë krenar një vend. Tani jemi gati për të mbyllur një muaj tërheqës, në të cilin të gjithë panë më të mirën që futbolli europian ka për të dhënë.

Dy finalisteve iu uroj të kenë fat sonte!

Nga rekordet e Cristiano Ronaldo-s, te faza në grupe dhe befasitë e përballjeve me eliminim direkt si në rastin e Zvicrës e Granit Xhakës që mundi me penallti Francën, Kampionen e Botës, të gjithë biem dakord se ky Europian ka ditur si të na zbavisë e madje edhe të na mrekullojë, nga fillimi e deri në fund.