Bota

Krimi ekonomik “mbyt” Gjermaninë!

Autoritetet gjermane të shqetësuar pasi mbi një e treta e kompanive në vend rezultojnë të prekura nga krimi ekonomik, e sektorët më të cenuar sipas një anketimi të Institutit Ekonomik Gjerman janë ata të IT-së dhe financat e kontabiliteti. Dhe niveli i dëmit të shkaktuar llogaritet në miliardë euro.

Sondazhi tregon se  34 për qind e të gjitha kompanive në Gjermani përballën me raste të krimit ekonomik si mashtrimi, korrupsioni, çmimet e ndaluara, evazioni fiskal apo puna e padeklaruar vitin e kaluar. Kjo është shkalla më e lartë që nga viti 2014.

Pjesë e anketimit u bënë përfaqësues të 1001 kompanive gjermane. Të dhënat e tij mbështeten edhe nga statistikat e krimit policor të Zyrës Federale të Policisë Kriminale (BKA) për zhvillimet në vitin 2022.

Numri i krimeve ekonomike u rrit për të tretin vit radhazi. Numri i përgjithshëm i rasteve të krimeve në vitin 2022 ishte rreth 73.000. Ndërsa në pesë vitet e fundit, numri mesatar i rasteve të krimeve në kompani ka qenë rreth 53.000 raste. E ndërkohë supozohet që numri i rasteve të pa raportuara të jetë edhe më i lartë.

Në përmbledhjen e studimit theksohet se autorët e këtyre shkeljeve “ janë kryesisht meshkuj, nga fundi i të 30-tave deri në mesin e të 40-tave, me ngjyrë të bardhë, zakonisht me origjinë gjermane dhe kanë një nivel të lartë arsimor në kombinim me disa vite përvojë profesionale në një pozicion drejtues”. Sipas raportit, rreth gjysma e krimit ekonomik në Gjermani kryhet nga persona jashtë kompanisë.