Aktualitet

Kryebashkiaku Veliaj i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale, ja si paraqitet gjendja e tij shëndetësore!

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i është nënshtruar sot një ndërhyrje kirurgjikale për heqjen e qeses së tëmthit për gurë.

Ndërhyrja u krye me sukses nga mjekët e kirurgjisë në QSUT. Lajmi është bërë me dije nga Bashkia e Tiranës.

“Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kreu sot një ndërhyrje kirurgjikale për heqjen e qeses së tëmthit për gurë. Ndërhyrja është kryer me sukses nga mjekët e kirurgjisë në QSUT. Z. Veliaj është në gjendje të mirë shëndetësore, nën kujdesin e mjekëve”, shkruhet në njoftimin e Bashkisë Tiranë.

Më herët, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe deputeti socialist, Toni Gogu iu bashkuan aksionit për mbjelljen e 3 mijë fidanëve në Liqenin e Prushit, ndërsa nesër, besimtarët katolikë festojnë Pashkën.

Veliaj tha se pemët që mbillen sot janë pajë për qytetin dhe fëmijët, teksa kërkoi nga komuniteti i zonës të mirëmbajë këtë investim të rëndësishëm.

“Siç kemi bërë gjithë ato transformime urbane në Tiranë, ëndrra ime është që ta mbyllim këtë punë në Bashkinë e Tiranës duke transformuar edhe pjesën rurale, me natyrën, pyjet dhe parqet. Nëse do arrijmë të tregojmë se kemi ndryshuar edhe natyrën, parqet, kemi mbjellë pemë, kemi shtuar pëllëmbët e gjelbërimit, ashtu siç kemi bërë transformimin e Tiranës, atëherë do të jetë misioni i përmbushur. Për të gjithë besimtarët kjo është edhe fundjava e Pashkës, ndaj shpresoj shumë që edhe simboli i mbjelljes së jetës dhe kujtesa e ringjalljes së Krishtit, ndoshta të bëhet me mbjelljen e një peme. Ftoj të gjithë besimtarët që, teksa thyejnë vezët, të hapin edhe tokën për të mbjellë një pemë, për të mbjellë një jetë. Për të gjithë besimtarët myslimanë do të kemi përgatitjet për faljen e Bajramit. Sheshi “Skënderbej” do të jetë në dispozicion me parkingun falas, që të sigurohemi që një vend i mirë ta tregojë çdo ditë që ka vend për të gjithë. Ama, të gjithë duhet t’i japim diçka mbrapsht këtij vendi të mirë, qoftë një fidan, një pemë, dashuri apo një përqafim”, tha Veliaj.