Aktualitet

Pashka katolike, urimet e drejtuesve të vendit dhe politikës!

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj uron besimtarët katolikë me rastin e Pashkës. Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, kryetari i shtetit thekson urimin për një të nesërme më të mirë.

Për shumë mot Pashkën, të dashur besimtarë katolikë e ungjillorë! Në këtë ditë të bekuar, le të gëzojmë e të festojmë të gjithë së bashku me besim dhe shpresë te Zoti për një të nesërme më të mirë. Gëzuar, dhe qoftë për të gjithë Pashkë e Shenjtë!

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla uron besimtarët katolikë për festën e Pashkës, kremtimi i më të madhes histori të shpresës.

Dita e Pashkës, një festë e bukur e rrëzëllitëse për besimtarët katolikë. Me lindjen Krishti lindi për ne; me vuajtjet vuajti për ne, në agoni u kryqëzua për ne, me ringjalljen u ringjall për ne. Me mrekullinë e Ringjalljes, Jezusi i tregoi botës se ka gjithmonë një shpresë, një shpëtim. Pashka është kremtimi i një historie, më të madhes histori, të shpresës.

Jezusi krijoi shembullin e madh të dashurisë, shërbimit dhe kryqëzimit për të tjerët dhe gëzimi i Pashkës le të na frymëzojë drejt këtij misioni universal. Gëzuar Pashkën të gjithë besimtarëve katolikë dhe qytetarëve shqiptarë!

Kryeministri Edi Rama uron Pashkën Katolike.

Me një urim të veçantë, për shumë vjet me zemër të mirë Pashkët!

Një Pashkë ndryshe ishte për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, i cili dje iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale për heqjen e qeses së tëmthit për gurë në QSUT. Me një foto nga spitali ku shfaqet duke përqafuar djalin, Veliaj uron:

Lepurushi i vogël Kajan na solli vezët e Pashkës në spital sot!

Gëzuar Pashkën, dashuri dhe shëndet të gjithëve!

Veliaj kishte një mesazh falënderimi për mjekët:

Mirënjohje për mesazhet e kujdesit, pasdite ju rrëfej pak më shumë për duarartët e zemërbardhët në QSUT!

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka uruar besimtarët katolikë.

Të dashur motra dhe vëllezër besimtarë katolikë dhe ungjillorë që kremtoni këtë ditë të shenjtë të Ringjalljes së Jezu Krishtit, unë dhe familja ime ju urojmë nga zemra, për shumë vjet Pashkët! Kremtimi i Pashkëve shënon triumfin e të mirës mbi të keqen, të dritës mbi errësirën, të shpresës mbi dëshpërimin. Në këto kohë të vështira, drita e shpresës dhe kurajos ndeztë në zemrat dhe mendjet e çdo familje shqiptare besimin se ditë më të mira na presin. Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja!

Besimtarët katolikë kremtojnë sot festën e Pashkës, ringjalljen e Jezu Krishtit. Pashkët paraprihen nga koha parapërgatitore e agjërimit që zgjat 40 ditë e që quhet Kreshmë. Kjo periudhë fillon nga e “Mërkura e Përhime” dhe mbaron të dielën e Palmave, e diela e fundit para ditës së Pashkës.

Gjatë kohës së Kreshmës, përkujtohen ditët e kaluara në shkretëtirë të Krishtit, në lutje e në agjërim.

Pas kremtimit të “Udhës së Kryqit, të shtunën besimtarët katolikë i janë drejtuar kishës për bekimin e ushqimit, një tjetër ritual i festës së  Pashkëve. Në shportën me ushqime që përmban tryeza e së dielës së Pashkës, nuk mungon buka e Pashkës, një shishe verë, pak djathë, si dhe hudhra të njoma që simbolizojnë ardhjen e pranverës. Po ashtu nuk mungon veza e kuqe, simboli i ngjalljes së Krishtit dhe i ripërtëritjes.

Festimet e Pashkës nisin me meshën e madhe të së shtunës mbrëma që mbahet në të gjitha kishat katolike dhe përfundojnë me drekën tradicionale të së dielës në tryezat e familjeve.