Aktualitet

Veliaj: Puna e fundit drejt përfundimit të Bulevardit të Ri!

Bulevardi i Ri në kryeqytet është drejt përfundimit. Në rrjetet sociale, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka publikuar imazhe nga projekti i pjesës fundore të Bulevardit të ri. Veliaj nënvizon se pas miratimit të fondit nga qeveria e Katarit, është në përfundim edhe detajimi i projektit për parkun fundor te Bulevardi i Ri.

Puna e fundit drejt përfundimit të Bulevardit të Ri! Pas miratimit të fondit nga qeveria e Katarit, drejt përfundimit edhe detajimi i projektit për parkun fundor te Bulevardi i Ri. Shumë shpejt nisim punën për një tjetër xhevahir, që do t’i shërbejë Tiranës së 100 viteve të ardhshme. Bulevardi i Ri nuk do të jetë vetëm një hapësirë për makinat dhe kalimtarët, por edhe për ata që duan të pushojnë në gjelbërimin që e rrethon.

Nëntorin e kaluar u mësua se “Chybik + Kristof” është studioja fituese e garës ndërkombëtare për godinën polifunksionale te Bulevardi i Ri, me qëllim krijimin e një ndërtese ikonë në atë zonë. Gjatë prezantimit të konkursit, kryebashkiaku Veliaj u shpreh se zgjerimi i mëtejshëm i kryeqytetit është një domosdoshmëri e zhvillimit, por edhe një perspektivë e re që i hapet qytetit të 100 viteve të ardhshme.

Po ashtu, Veliaj pati nënvizuar se zona e Bulevardit të Ri është edhe ajo ku po investohet më së shumti aktualisht në Tiranë.

Këtu kemi të bëjmë me të parin projekt ose me të parin investim madhor të Bashkisë së Tiranës, ku të gjitha shërbimet janë tashmë aty. Ne sapo kemi marrë dhe një grant nga qeveria e Katarit edhe për sheshin fundor të Bulevardit të Ri. Eshtë një lloj zgjatimi i shtyllës kurrizore të Tiranës. Besoj se kjo zgjatje e shtyllës kurrizore të qytetit ka hapur një perspektivë për 100 vitet e ardhshme.

Në këtë garë morën pjesë 5 studio ndërkombëtare, ku në vend të dytë u rendit studioja “XDGA”, ndërsa vendin e tretë e mori “Atelier Martel”.