Aktualitet

Kryeministri Rama, intervistë për italianen “La Stampa”

Për kryeministrin Rama, “më e thjeshtë është të parashikosh që Sassuolo të shpallet kampion i Italisë për të mos përmendur një emër të madh si Juventusi, që tani po vuan, sesa të vësh një bast për të ardhmen e Europës”. I ftuar në Firence për konferencën “The State of Union”, Rama i dha një intervistë gazetës së njohur italiane “La Stampa”.

Gazetarja Letizia Tortello e pyeti nëse a është fati i Shqipërisë për t’u bashkuar me Bashkimin Europian?

Ne e shikojmë Italinë si Shqipërinë e së nesërmes. Për ne Europa është një fe dhe nuk ka asnjë zonë tjetër të ndikimit në fatin tonë europian, të cilin e kemi pritur me shekuj. Para vitit 1990 nuk mund ta ëndërronim. Tani, ne mund ta zgjedhim atë. Populli ynë ndihet europian. Për fat të keq, kriza e refugjatëve ka ndryshuar BE-në për keq dhe tani Brukseli vazhdon të shtyjë negociatat, pasi vendimi është marrë, për shkak të oportunizmit nacionalist dhe egoist të disa vendeve.

-Negociatat janë ndërprerë gjithashtu sepse ju jeni seriozisht mbrapa me reformat e kërkuara: korrupsioni, spastrimi i gjyqësorit dhe liria e medias.

Ne jemi duke bërë detyrat e shtëpisë. Reforma në drejtësi është një proces për t’u duartrokitur, ne jemi në gjysmën e punës. Ju nuk mund të kërkoni nga një atlet që të bëjë një operacion, të shërohet dhe pastaj t’i vrapojë 100 metrat në të njëjtën kohë. Rregullat europiane janë një makinë vdekjeprurëse që vlerëson kufij që shpesh nuk do të kënaqnin as shtetet anëtare. Nëse Zvicra ose Italia do të quheshin Shqipëri ose Kosovë, mbase nuk do të lejoheshin të futeshin në Europë sot duke pasur parasysh korrupsionin dhe reformat që do të zbatoheshin.

-Po akuzoni Bashkimin Europian për vënie pengesash?

Unë them se kjo histori është paksa qesharake, që ne kurrë nuk qenkemi gati për bisedime paraprake për të filluar procesin e integrimit. Eshtë shumë e lehtë dhe e përshtatshme të gjuajmë me gurë ndaj atyre që janë jashtë derës. Por, nuk ka asnjë fat tjetër për Shqipërinë përveç Europës. Kjo i shkon për shtat edhe Europës.

-BE po lufton aktualisht për të gjetur orientimin duke parë “perëndimin” e Merkelit në Gjermani. Kush është sponsori juaj tani?

Italia është aleatja jonë më e madhe dhe më besnike. Kancelarja ishte ndoshta personi  që e njihte më mirë situatën në Ballkan, madje edhe presidenti Macron ka bërë shumë. BE po përjeton shumë kontradikta, pandemia mund të ishte rasti për të filluar vozitjen të gjithë së bashku. Në vend të kësaj, ajo nxorri në pah mospërputhjet dhe interesat kombëtare. Dhjetë vjet më parë, kur erdhi puna për integrimin e Ballkanit ne ishim si gjëmbaçët në kopsht. Tani jemi dëshmitarë të një ballkanizimi të Europës. Na thoni: “Të dua, por nuk jam gati të martohemi”. Të kuptohemi, është e ligjshme që ka vende që kundërshtojnë zgjerimin, pa diskutim.

-26 vjet pas Marrëveshjes së Dejtonit, po shfaqen projekte sekrete për të ridizenjuar Ballkanin. Një rrezik apo një mundësi? Në këtë rast, Shqipëria do ta integronte Kosovën.

Status quo-ja nuk është e qëndrueshme. Si u krijua ky ekuilibër i pasigurt, unë nuk e di! Unë nuk besoj në një ‘deus ex machina’ që do të na drejtojë drejt një rendi të ri. Ne në Ballkanin Perëndimor jemi demokraci të reja, do të thoja adoleshente, që duhet të rriten dhe të provojnë se janë të besueshme. Diskutimi i vetëm i besueshëm aktualisht është krijimi i një zone ballkanike Schengen, që do të lejojë qarkullimin e mallrave, shërbimeve dhe njerëzve, për ta bërë konkurrues tregun e shteteve të vogla dhe të izoluara. T’u japim punë të rinjve tanë dhe të mos ushqejmë fyerje, populizëm idiot e të rrezikshëm!

-Ju shihni drejt BE-së, por Kina dhe Turqia kanë gjithnjë e më shumë ndikim në Shqipëri ashtu si në Maqedoninë e Veriut. Vaksinat janë një shembull i tillë.

Për fat! Presidenti Erdogan na dha dorën për të dalë nga një krizë e rëndë shëndetësore. Në fazën e parë të pandemisë, BE-ja na braktisi dhe na izoloi. Me forcat tona, ne kontaktuam së pari Pfizer-in duke u nisur drejt së panjohurës ​​në Nju Jork, pastaj AstraZeneca. Më në fund, fabrika e Sinovac-ut në Turqi, që hapi dritën jeshile për eksport. Ne gjithashtu kemi Sputnik V. Ne bëjmë rreth 25 mijë vaksina në ditë.

-A po planifikoni paketa turistike Covid-free për turistët për verën? Shumë italianë kanë populluar brigjet tuaja vitet e fundit.

Nëse vaksinimet vazhdojnë kështu, ne do të kemi një verë të shkëlqyer pa asnjë kufizim. Ne jemi duke imunizuar stafet e hoteleve, ne jemi një vend i lirë dhe i sigurt. Italianë, po ju presim!